Tiranë, 1 prill 2011, NOA- Jorida Tabaku, kandidatja e Partisë Demokratike për Këshillin Bashkiak, e akuzoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës se është ideatori dhe orkestruesi i sulmeve mediokre ndaj kandidatit të maxhorancës Lulzim Basha.
Sipas saj, Rama në vend që të merret me zgjidhjet e halleve dhe problemeve që i nevojiten kryeqytetit, është i fiksuar tek lufta politike.
“Ai harron se njerëzit janë të lodhur nga konfliktet dhe grindjet shterpë. Qytetarët duan zgjidhje, duan rrugë normale, fëmijët dhe pleqtë duan parqe, të rinjtë duan punë, familjet kryeqytetase duan çmime të arsyeshme dhe jetë të sigurtë e në harmoni.
I kujtojmë Edi Ramës, se të gjitha këto nuk arrihen përmes politikës së shpifjes, përbaltjes dhe konfliktit”, u shpreh Tabaku.
Sipas saj qytetarët po i kërkojnë Bashës realizimin e premtimeve të pambajtura të Edi Ramës si dhe nxjerrjen e kryeqytetit nga degradimi ku është futur.
Ajo shtoi se kjo gjendje e Tiranës ka ardhur si rrjedhojë e keqqeverisjes së deritanishme, pasi theksoi ajo, “As asfalti elektoral, as ca pemë të mbjella elektoralisht, as shkarkimi artificial i përgjegjësisë tek të tjerët, nuk mbushin dot, duart bosh të bilanceve të zbrazëta të zotit Rama”.
Lidhur me punën e kandidatit Basha, Tabaku tha se, ai vepron ndryshe, takon njerëizt, i dëgjon ata, iu ofron ndihmë dhe zgjidhje, në vend që të merret me retorika boshe e konfliktuale.
a.y/NOA