English

Vjen “Java e Promovimit te Gjithëpërfshirjes”

Dedikuar personave me Aftësi të Kufizuara. Fondacioni Vodafone Albania dhe Këshilli Britanik, në mbështetje të “Javës së Përfshirjes”

Tiranë, 1 prill 2011 NOA - Fillimi i muajit prill sjell një numër aktivitetesh dedikuar personave dhe grupeve shoqërore më të prekshme të shoqërisë – konkretisht personave me aftësi të kufizuara.

Fondacioni Vodafone Albania dhe Këshilli Britanik do të mbështesin aktivitetet e “Javës së Promovimit të Gjithëpërfshirjes” që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit të shoqërisë për përfshirjen sa më të plotë të personave në vështirësi”.

Në kuadër të mbështetjes ndaj personave me aftësi të kufizuara javën që vjen nga data 4 deri 8 prill do të zhvillohen trajnime, debate dhe shfaqje që në qendër të tyre kanë përcjelljen e mesazheve dhe dhënien e ndihmës ndaj personave me aftësi të kufizuar që ata të ndihen pjesë e barabartë dhe plotësisht e përfshirë në shoqëri.

Trupa britanike “Stop Gap” e përbërë nga artistë ku përfshihen dhe artistë me aftësi të kufizuara do të performojë në shfaqje në Tiranë si dhe ne Elbasan, Durrës, Berat dhe Shkodër.

Ditën e hënë, 4 prill në orën 4 pasdite në teatrin Metropol, salla Shakespeare do të zhvillohet një aktivitet prezantues i katër projekteve fituese te Programit Bota e Ndryshimit të Fondacionit Vodafone Albania – fokusuar në mbështetje të personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri.

Aktivitete e shumta të “Javës së Promovimit të Gjithëpërfshirjes” pritet të kenë mbështetjen dhe pjesëmarrjen e krerëve më të lartë të qeverisë dhe shtetit shqiptar dhe organizmave të tjetra ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri.

e.t/NOA

KOMENTE