English

Zbardhet takimi Berisha-Kantriman: 8 maji do shënojë standardet më të larta

Tiranë, 1 prill 2011, NOA- Kryeministria pak orë pas takimit të kreut të qeverisë Sali Berisha dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit për Europën Tomas Kantriman ka zbardhur takimin.

Burime zyrtare nga kryeministria bëjnë me dije se, gjatë bisedës mes tyre Kryeministri Berisha e njohu Kantriman me përgatitjet që po bëhen në vend në mënyrë që procesi zgjedhor i 8 Majit të arrijë standardet më të larta ndërkombëtare.

Ndër të tjera i rikonfirmoi atij angazhimin e plotë dhe të palëkundur të qeverisë shqiptare për arritjen e tyre.

Gjatë këtij takimi Kryeministri theksoi se pavarësisht tentativës së kreut të opozitës, Edi Rama për të përsëritur skenarin bllokues të vitit 2007, falë kornizës ligjore dhe bashkëpunimit të institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë, procesi i përgatitjes së zgjedhjeve po vazhdon me hapa të shpejtë.

Ndër të tjera shefi i qeverisë e njohu Zëvendës Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit me zhvillimet e tryezës së partive politike parlamentare, e thirrur nga Partia Demokratike, me qëllim trajtimin e rekomandimeve të OSBE – ODIHR-it që i drejtohen në mënyrë specifike partive politike aktore në procesin zgjedhor për të marrë përsipër angazhimet politike dhe detyrimet ligjore që ato kanë në procesin zgjedhor.

Lidhur me këtë tryezë kreu i qeverisë theksoi se marrëveshja e paraqitur nga mazhoranca, e cila përfshin edhe një numër kërkesash për transparencë dhe garanci të bëra nga Partia Socialiste, bën një zbërthim të detajuar të rekomandimeve të OSBE – ODIHR-it dhe do të shërbente si një garanci shtesë për një proces zgjedhor të suksesshëm.

Sakaq ai i bëri të ditur gjithashtu bashkëbiseduesit të tij se arritjet janë të jashtëzakonshme në saktësinë e listave të zgjedhësve, si rrjedhojë e modernizimit të bërë nga qeveria me asistencë të OSBE-së të sistemit të gjendjes civile si dhe e siguroi atë se marrëveshja e nënshkruar nga disa partitë parlamentare i garanton çdo subjekti zgjedhor transparencë të plotë të hartimit të këtyre listave.

Gjithashtu kryeministri Berisha nënvizoi se pavarësisht procesit zgjedhor, se qeveria nuk e ka ulur për asnjë moment intensitetin e punës në drejtim të integrimit në BE dhe plotësimit të 12 prioriteteve të vëna.

Nga ana e tij Kantriman vlerësoi hapat pozitivë të ndërmarrë në dy muajt e fundit duke theksuar se dialogu dhe bashkëpunimi me Komisionin Evropian në kuadër të integrimit dhe përpjekjet e mazhorancës për arritjen e një marrëveshjeje për zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it janë zhvillime mjaft pozitive.

Krahas të tjerave ai vlerësoi përgatitjet që po bën KQZ dhe institucionet e tjera për procesin zgjedhor dhe hartimin e listave të zgjedhësve nënvizoi rëndësinë që ka jo vetëm një proces zgjedhor sipas standardeve më të mira por dhe roli dhe sjellja e partive politike në periudhën paszgjedhore.

a.y/NOA

KOMENTE