English

Berisha: Ëndrra e 4 dëshmorëve sot realitet, vitet e ardhshme, ato të zhvillimeve të mëdha

Shkodër, 2 prill 2011, NOA- Kryeministri i vendit Sali Berisha në 20 vjetorin e vrasjes së katër dëshmorëve, është ndalur në qytetin e Shkodrës.

Në ceremoninë përkujtimore të mbajtur në nder të tyre, kreu i qeverisë tha se Shqipëria në Europë ishte ëndrra e tyre, por sot Shqipëria është në NATO.

“Gjaku i dëshmorëve skuqi rrugët e Shkodrës. Gjaku i dëshmorëve i dha dritë demokracisë”, u shpreh ai, duke shtuar se, sot shqiptarët janë më të lirë se kurrë në historinë e tyre dhe se lira e Shqipërisë dhe shqiptarëve është më e garantuar se kurrë.

Berisha theksoi gjithashtu se vrasja e 4 dëshmorëve është bërë për sakrifikimin sublim të tyre për lirinë, për zgjedhje të lira dhe për lëvizje të lirë.

Duke iu drejtuar qytetarëve të Shkodrës ai tha se, “Në 4 vitet e ardhshme do të jenë projektet më të mira. Aleanca jonë është aleanca për qytetarin. Unë ju garantoj ju se çdo gjë në këtë fushatë, në këtë qeverisë do të jetë vetëm për ju”.

Ndër të tjera ia shtoi se “ne rrugën nuk e kemi bulevard me lule, sepse ne kemi patur trashëgimi të pasur, dhe ne atë së bashku me lirinë po e përdorim, po e shfrytëzojmë më me mençuri se çdo herë tjetër”.

Ai e cilësoi Shqipërinë e lirë 20 vjeçare si 20 vite dritë larg Shqipërisë së ‘91-it.

Kreu i qeverisë tha më tej se deri në 2017 Shkodra dhe Shqipëri do të njohin lulëzimin më të madh që ka parë ndonjëherë.

“Vitet në vijim do të jenë vitet e zhvillimeve më të mëdha për Shkodrën. Do ta ngremë qytetin në lartësinë e ëndrrave të fëmijëve tuaj”, tha kreu i qeverisë në mbyllje të fjalës së tij.

Në ceremoninë përkujtimore ishin të pranishëm edhe deputetë të Shkodrës, mes tyre edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

a.y/NOA

KOMENTE