English

Dokle: Mashtrimi i dyfishtë i qeverisë, u blen votën shqiptarëve me para fallco

Tiranë, 2 prill 2011, NOA- Deputeti socialist Namik Dokle, në një dalje për mediat denoncoi futjen në qarkullim të eurove, dollarëve fallco si dhe të kartëmonedhave shqiptare të falsifikuara.

Sipas tij, kjo është një tentativë e turpshme për t’i mashtruar e vjedhur shqiptarët dy herë, deklaroi, njëherë duke u blerë votën dhe njëherë duke përdorur në këmbim para fallco.

“Sinjalizimet për këtë trafik kriminal janë të shumta, sidomos nga zonat rurale dhe zonat periferike të qyteteve të vendit, si Tirana apo Durrësi. Janë po ashtu të shumta sinjalizimet për arsyen përse po futen në Shqipëri këto para në prag të zgjedhjeve lokale të 8 majit: për të blerë votat e shqiptarëve”, u shpreh Dokle gjatë fjalës së tij.

Ndër të tjera ia tha se, qeveria fallco, pasi ka përzgjedhur brenda saj kandidatë fallco tani po përdor edhe para fallco.

Ai e cilësoi futjen e kartëmonedhave dhe operacionin për blerjen e votës, si një operacion të përmasave qeveritare.

Sakaq ai shtoi se, kjo është vetëm tentativa më e fundit e Sali Berishës për të manipuluar zgjedhjet duke abuzuar me varfërinë e qytetarëve shqiptarë.

Dokle deklaroi se paratë fallco po përdoren për manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve duke blerë vota për kandidatët e tij.

Deputeti socialist vijoi më tej duke thënë se, “Denoncojmë po ashtu faktin që asnjë nga organet shtetërore që duhet të hetonin dhe luftonin këtë trafik nuk kanë ndërmarrë ende asnjë veprim. Ministria e Financave të Saliut duhet të kishte dhënë tashmë alarmin për këtë trafik. Ministria e Brendshme dhe Policia e Lulit të Saliut duhet të kishte filluar punën për të luftuar këtë fenomen. Heshtja e këtyre institucioneve është vërtetimi më i qartë se është vetë pushteti ai që po e organizon këtë trafik”.

Në mbyllje të fjalës së tij Dokle theksoi se të gjitha këto përpjekje të Saliut dhe Salinjve kandidatë janë të kota, pasi në 8 maj qytetarët shqiptarë do t’u japin atyre përgjigjen përfundimtare.

a.y/NOA

KOMENTE