English

Kantrimen: Çfarë rrezikon Shqipëria

Tiranë, 2 Prill 2011 NOA/– E plotë – Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA Tomas Kantrimen lëshoi një mesazh të fortë për palët politike në Shqipëri duke kërkuar që ato sa më shpejt t’i vihen një dialogu real dhe eficent.

Në bashkëbisedimin e gazetarët që u zhvillua në ambasadën amerikane në Tiranë, z.Kantrimen tha se Shqipëria rrezikon nëse këto zgjedhje nuk janë të pastra.

Ai hapur tha se ”ky vend nuk ka arritur sukses në çuarjen përpara të axhendës së reformave që mund ta bëjnë vendin më të begatë dhe një vend ku shqiptarët të jenë edhe më krenarë të jetojnë”, duke paralajmëruar se ”dështimi në këto zgjedhje, dështimi për të zgjidhur mosmarrëveshje rrezikon që të vazhdojë kjo mungesë përparimi, mungesë veprimi nga Kuvendi”.

Kurse shtoi se ”si në çdo vend tjetër, njerëzit do të gjejnë një mënyrë për të ecur përpara, për t’i bërë jetët më të begata dhe për t’i bërë qytetet e komunitetet e tyre më të begata, edhe nëse Kuvendi nuk e kryen detyrën që ka. Por nuk është ajo çka ndonjë prej nesh dëshiron të shohë në Shqipëri. Ne duam përparim”.

Kantrimen tha më tej se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të bashkërendojnë shumë ngushtë me Bashkimin Europian dhe me OSBE-në sepse bashkëndajmë të njëjtën shpresë për të ardhmen e Shqipërisë.

Kantrimen theksoi se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian dhe ”shpresoj që të gjithë shqiptarët do të mbajnë parasysh që pikërisht kjo është çështja dhe sfida më e madhe, më e madhe edhe se zgjedhjet që po vijnë muajin tjetër”.

Për z.Kantrimen, suksesi i këtyre zgjedhjeve mund të përshpejtojë ose mungesa e suksesit mund ta ngadalësojë procesin e anëtarësimit në BE: ”Është e kuptueshme që duam të shohim një përshpejtim; kjo është ajo që meriton populli shqiptar”.

Këtu Kantrimen shtjelloi se këto zgjedhje për qeverisjen vendore, nuk i përkasin partive politike; i përkasin popullit shqiptar.

”Shqiptarët duhet të marrin pronësinë e këtyre zgjedhjeve duke marrë pjesë në to, duke këmbëngulur për një fushatë të pastër, si edhe duke ofruar vëzhgues të pavarur vendas.

Gjithashtu, njerëzit duhet të këmbëngulin dhe të presin nga partitë të respektojnë nevojën për një mekanizëm të pastër për të zgjidhur çfarëdo mosmarrëveshjeje që mund të lindë ditën e zgjedhjeve”, - tha z.Kantrimen.

Këtu ai theksoi se ”Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të këmbëngulin në respektin për institucionet e pavarura të Shqipërisë, sipas Kushtetutës së Shqipërisë. Këtu përfshihet edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, edhe pse ky nuk është një institucion i pavarur në po atë mënyrë si edhe Prokuroria e Përgjithshme”.

Kantrimen pohoi se kishte takuar z.Ristani dhe shtoi: ”Unë theksova që Komisioni duhet të jetë i drejtë dhe objektiv si dhe transparent në të gjitha vendimet e tij. Së dyti, që presim nga të gjithë anëtarët e Komisionit që të respektojnë detyrimin e tyre për të marrë pjesë në punën e Komisionit. Dhe, së treti, që SHBA, ashtu si dhe BE dhe OSBE, respektojnë rolin e Komisionit për të vendosur standardet për zgjedhje të drejta dhe për zgjidhje të drejtë të çfarëdo mosmarrëveshjesh”.

A ju është kërkuar nga partitë garanci për procesin dhe për transparencën paszgjedhore. Dhe, e dyta, a keni parashtruar në bisedimet, me Kryeministrin ndoshta, rëndësinë për të respektuar lirinë e mediave, sidomos kur ato janë kritike ndaj qeverisë?

Lidhur me pyetjen e parë, të dyja palët shprehen se ato besojnë tek transparenca përpara, gjatë, dhe pas ditës së zgjedhjeve. Dhe unë iu besoj atyre. Ata kanë ende mendime të ndryshme lidhur me mënyrën për ta arritur transparencën pas zgjedhjeve. Kjo është një çështje e cila mund të trajtohet vetëm me anë të dialogut të drejtpërdrejtë mes dy palëve. Nëse SHBA, apo OSBE, apo bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi, mund të ndihmojnë për ta zgjidhur mosmarrëveshjen, ne do të ndihmonim me kënaqësi.

Lidhur me pyetjen e dytë, më vjen shumë mirë që e ngritët sepse liria e medias shkon krah për krah me përgjegjësinë e medias. Nuk duhet të ketë kurrfarë përpjekjeje nga asnjë qeveri, as për të shtypur e as për të kontrolluar median për të përfituar mbulim pozitiv. Në të njëjtën kohë, edhe media ka një përgjegjësi ndaj popullit shqiptar – të shmangë atë lloj retorike politike që rrit nxehtësinë, por nuk rrit transparencën.

E diskutova këtë edhe me Presidentin Topi. Bëra të qartë që ne respektojmë përpjekjet e tij për t’i kujtuar popullit shqiptar përgjegjësinë e tij për të marrë pjesë plotësisht në zgjedhje dhe për të treguar nivelin e duhur të skepticizmit kundrejt atyre që dëgjojnë qoftë nga partitë politike ashtu edhe nga media.

Ju thatë që transparenca është një çështje që duhet trajtuar nëpërmjet dialogut politik. Këtu ndahen partite e mëdha, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike – nëse ky dialog duhet zhvilluar para datës së zgjedhjeve apo pas. OSBE ka thënë qartë që nuk duhet ndryshuar Kodi Zgjedhor sepse kjo do të minonte procesin. Çfarë mendojnë SHBA për këtë?

Së pari, transparenca është një vlerë që është shumë e rëndësishme për një demokraci dhe, siç thashë, të dyja partitë e bashkëndajnë këtë vlerë. Procedura specifike për ta arritur është ajo për të cilën ka ende mosmarrëveshje. Nuk jam i sigurt nëse duhet quajtur dialog politik apo dialog teknik, apo nëse duhet mbajtur mes partive në kuvend apo në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Por, është një dialog që duhet të ndodhë urgjentisht.

OSBE ka të drejtë – që është shumë vonë për të bërë ndryshime madhore në Kodin Zgjedhor. Por nuk është tepër vonë që partitë të bien dakord për rregulla të drejta fushate dhe procedurale kur këto janë jashtë Kodit Zgjedhor.

Në vizitat tuaja të mëparshme, ju keni thënë që partitë duhet të fillojnë një dialog konstruktiv. Por kjo nuk ka ndodhur. Pyetja ime e parë: a keni marrë shenja se do të ketë një kompromis dhe dialog konstruktiv përpara zgjedhjeve? E dyta: Komisioneri i Zgjerimit Fyle tha se rrezikoni integrimin europian nëse zgjedhjet nuk janë të drejta dhe të lira. Sipas opinionit tuaj, çfarë rrezikon Shqipëria nëse nuk ka zgjedhje të lira dhe të drejta.

Po e filloj me pyetjen e dytë. Komisioneri Fyle është eksperti më i lartë për këtë pyetje. Dhe, nëse e thotë ai që dështimi për të mbajtur zgjedhje të besueshme është një zmbrapsje për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, nuk mendoj se një diplomat amerikan mund të shtojë apo heqë ndonjë gjë nga ky vlerësim.

Çështja nuk është vetëm teknike lidhur me anëtarësimin në BE. Ndaj, e kam një opinion lidhur me çfarë tjetër rrezikon Shqipëria nëse këto zgjedhje nuk janë të pastra. Ky vend nuk ka arritur sukses në çuarjen përpara të axhendës së reformave që mund ta bëjnë vendin më të begatë dhe një vend ku shqiptarët të jenë edhe më krenarë të jetojnë. Dështimi në këto zgjedhje, dështimi për të zgjidhur mosmarrëveshje rrezikon që të vazhdojë kjo mungesë përparimi, mungesë veprimi nga Kuvendi. Si në çdo vend tjetër, njerëzit do të gjejnë një mënyrë për të ecur përpara, për t’i bërë jetët më të begata dhe për t’i bërë qytetet e komunitetet e tyre më të begata, edhe nëse Kuvendi nuk e kryen detyrën që ka. Por nuk është ajo çka ndonjë prej nesh dëshiron të shohë në Shqipëri. Ne duam përparim.

Lidhur me dialogun midis partive: Jam në një mendje me deklaratën që Kethrin Eshton bëri në emër të BE-së, që mungesa e kontaktit të drejtpërdrejtë ka qenë burim shqetësimi për ne dhe ka çuar në dështimin e Shqipërisë për të përparuar. Pati disa shenja shpresëdhënëse këtë javë, si në seminarin e drejtuar nga Z. Fyle ashtu edhe në diskutimet mbi një Kod Sjelljeje për zgjedhjet vendore. Kjo është diçka e mirë por nuk mjafton dhe unë mendoj që populli shqiptar e bën dallimin midis një takimi që organizohet për të kënaqur Brukselin dhe Uashingtonin dhe një takimi ku do të flitej sinqerisht mbi çështjet dhe do bëhej përparim.

Si e shihni të ardhmen e Shqipërisë, jo vetëm në kontekstin e zgjedhjeve?

Me shumë optimizëm. Kam pasur mundësinë të bisedoj me shumë miq në pjesë të ndryshme të Bashkimit Europian gjatë dy muajve të fundit, lidhur Shqipërinë. Dhe, siç e thashë, të gjithë bashkëndajnë shqetësimin që çështjet lidhur me zgjedhjet vendore të zgjidhen dhe të mos përkeqësohen. Pra, ka diçka për t’u shqetësuar nga pikëpamja afatshkurtër. Por, në pikëpamjen afatgjatë, bashkëndajmë perspektiva shumë pozitive.

Këtu do të theksoja dy çështje. Së pari, që bashkëndajmë vlerësimin e shumë njerëzve në Bashkimin Europian, që përparimi që Shqipëria ka bërë në dhjetë apo dymbëdhjetë vitet e fundit, në fushën sociale, ekonomike, politike, është dramatik. Nëse sistemi politik mung të shkrijë, duhet të jemi optimistë për ta rimarrë ritmin e shpejtë të përparimit.

Pika e dytë, ashtu si miqtë e mi në BE, na ka lënë shumë mbresa politika e jashtme e Shqipërisë. Pra që pavarësisht nga situata e brendshme politike, gjatë qeverisjeve të ndryshme njëra pas tjetrës, politika e jashtme e Shqipërisë ndaj fqinjëve dhe botës më gjerë ka qenë pozitive, frytdhënëse dhe ka kontribuar për stabilitetin në rajon dhe në nivel global. Pra, vizioni ynë është optimist.

Batuta e z.Kantrimen:

Kërkoj ndjesë që kam ardhur në datën 1 prill. Nuk kisha qëllim të dërgoja ndonjë sinjal. Jemi vërtet seriozë si mbi sfidat ashtu edhe, siç thashë në fund, për potencialin.

KOMENTE