English

Kosova, zgjedhje të reja apo president të ri

Nga Armand Shkullaku

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka mbyllur një gjykim të parevokueshëm, por ka hapur një debat të madh lidhur me argumentimin e vendimit të saj që e bën nul zgjedhjen e Presidentit të vendit. Sipas kësaj gjykate, Kosova sot nuk ka një President, pasi ai që u betua më 22 shkurt përpara Kuvendit është i pavlefshëm për dy arsye: në votim nuk kanë qenë të pranishëm dy të tretat e deputetëve dhe në garë ka marrë pjesë një kandidat i vetëm, zoti Behgjet Pacolli.

Të shumtë janë ata që e kanë përshëndetur këtë vendim të Kushtetueses, duke theksuar edhe njëherë pavarësinë e saj nga politika, përkatësisht nga koalicioni qeveritar. Është e vërtetë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ende në fillimet e saj, ka treguar autoritet dhe pavarësi në shumë vendime. Ajo rrëzoi presidentin Sejdiu, që ushtronte njëkohësisht dy funksione; çoi në zgjedhje të parakohshme kundër dëshirës së kryeministrit Thaçi komunën e Rahovecit; vendosi në favor të pakicave për emblemën e Prizrenit etj.

Edhe vendimi i saj i fundit mund të futet në këtë varg aktesh indipendente e të guximshme përsa kohë shkon kundër interesave të koalicionit qeveritar dhe i jep të drejtë opozitës. Falë një kulture politike, jo shumë normale për rajonin, të gjithë faktorët në Prishtinë shfaqën bindje dhe respekt ndaj vendimit në fjalë të Kushtetueses. Vetë zoti Pacolli, kryeministri Thaçi dhe drejtuesit e Kuvendit nuk e kundërshtuan atë. Por, pavarësisht obligimit për të respektuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese, shpallja jo kushtetuese e zgjedhjes së Presidentit në seancën parlamentare të 22 shkurtit ngre shumë pikëpyetje. Në radhë të parë, duket sikur interpretuesit më të lartë të Kushtetutës kanë qenë më të ndjeshëm ndaj ruajtjes së profilit të tyre indipendentist sesa të kujdesit ndaj frymës së ligjit themelor të shtetit. Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke shënuar një rast të rrallë në rrëzimin e dy presidentëve brenda 6 muajsh, këtë herë ka lënë pa rrugëdalje krizën presidenciale. Pas këtij vendimi, shtrohet pyetja se a ka patur President Kosova nga data 22 shkurt e deri më sot. Nëse ka patur, ai nuk mund të shkarkohet dot, sepse personalisht nuk e ka shkelur Kushtetutën, nuk është i paaftë fizikisht dhe nuk është dënuar për kryerjen e një krimi të rëndë. Nëse nuk ka patur, pra në rastin kur zgjedhja e tij quhet nul, atëherë Kuvendi duhet të shpërndahet dhe brenda 45 ditëve të shkohet në zgjedhje. Vendimi i Kushtetueses nuk e përcakton rrugën që duhet ndjekur, ndërkohë që Kushtetuta thotë qartë se nëse Kuvendi nuk arrin që as në raundin e tretë të zgjedhë Presidentin e Republikës, atëherë ai shpërndahet dhe shkohet në zgjedhje. Sipas Gjykatës, Parlamenti i Kosovës nuk e ka zgjedhur Presidentin, sepse që në raundin e parë në garë është paraqitur vetëm një kandidat dhe në sallë kanë qenë më pak se dy të tretat e deputetëve, për rrjedhojë procesi i mëpasëm ka qenë i pavlefshëm.

Nisur nga një logjikë formale, Gjykatës Kushtetuese mund të mos i interesojë se çfarë bën Kuvendi, shpërndahet, mblidhet, shkarkon apo zgjedh President tjetër. Ajo prononcohet vetëm kur pranë saj paraqitet një ankesë dhe në rastin konkret ka dhënë vendimin përkatës. Por kjo Gjykatë nuk mund të veprojë në kushte laboratorike, ajo duhet të ketë parasysh frymën e Kushtetutës dhe bazën politike mbi të cilën funksionon një demokraci parlamentare.

Fryma e Kushtetutës është që vendi nuk shkon në krizë parlamentare për shkak të zgjedhjes së Presidentit, që më shumë është figurë simbolike sesa ka fuqi ekzekutive. Pikërisht për këtë arsye ajo i jep mundësinë një mazhorance të caktuar politike që ta zgjedhë edhe me 50+1 të votave kreun e shtetit. E nëse një shumicë nuk arrin të garantojë as këto vota, ajo nuk mundet as të qeverisë dhe shkuarja në zgjedhje është e pashmangshme. Votimi me dy të tretat është më tepër një mundësi për t’i dhënë autoritet më të madh kreut të shtetit si figurë unifikuese, por jo obligim, pasi në fund të fundit ekziston votimi me shumicë të thjeshtë. Çështja nuk do të duhej të shtrohej për dy votimet e para më 22 shkurt, pasi ato nuk prodhuan asnjë President, por për votimin e tretë. Për dy raundet e para në nenin 86 nuk thuhet se në sallë duhet të jenë të pranishëm jo më pak se dy të tretat. Kjo shifër është morale në mbështetjen për Presidentin, përderisa ai e ka mundësinë të zgjidhet edhe me shumicë të thjeshtë. Kushtetuta me këtë formulim nuk dëshiron që vendi të shkojë në zgjedhje sa herë nuk do të mblidheshin bashkë në sallë dy të tretat e deputetëve.

Dhe askush, pavarësisht interpretimit moralist të Kushtetueses për detyrimet e deputetit, nuk mund t’i detyrojë deputetët të rrinë në sallë kundër dëshirës së tyre. Pra, kushti i dy të tretave vetëm bllokon procesin dhe çon në krizë, pasi nuk është përcaktues për Presidentin, i cili e ka shansin të zgjidhet edhe me 50+1. Fryma kushtetuese dhe funksionimi normal i një demokracie i japin shansin të qeverisë një mazhorance që ka shumicën në Parlament pa e penalizuar për zgjedhjen e një Presidenti pa kompetenca të forta. Edhe interpretimi i Kushtetueses për pjesëmarrjen e jo më pak se dy kandidatëve në garën presidenciale, është bërë në këndvështrimin e pavlefshmërisë së procesit të 22 shkurtit.

Kushtetuta nuk e thotë qartë se në votim duhet të paraqiten të paktën dy kandidatë dhe në këtë rast Gjykata mund të vendoste pro ose kundër. Por, nisur nga interpretimi që iu bë pjesëmarrjes së dy të tretave në votim, edhe vendimi se zgjedhja e Presidentit është jo kushtetuese për shkak të kandidimit të një personi të vetëm, shkon në të njëjtën logjikë të Gjykatës. Sot vendi ndodhet në një udhëkryq juridik, për të cilin Gjykata Kushtetuese duhej të kishte dhënë disa shenja orientimi. Me gjasë, Kuvendi do të mblidhet për të zgjedhur një President të ri apo për të rizgjedhur zotin Pacolli. Me siguri do të gjendet dhe një kandidat i dytë dhe do të tentohet kompromisi për të siguruar dy të tretat që Kushtetuesja i bëri obligative. Por a ka legjitimitet ky Parlament ta bëjë këtë, pasi ka dështuar më parë në zgjedhjen e Presidentit? Po nëse nuk arrihet prania e dy të tretave në sallë, a duhet të shkojë vendi në zgjedhje për mungesë pranie apo për moszgjedhje të Presidentit? A ka kuptim zgjedhja në raundin e tretë me shumicë të thjeshtë, nëse nuk bëhen dy të tretat në dy raundet e para?

Këto dhe shumë pyetje të tjera nuk marrin përgjigje nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ajo këtë herë ka bërë një interpretim që sigurisht nuk mund të kontestohet, por që ka lënë hapur dhjetëra interpretime të tjera. Do të kishte qenë mirë që, nisur nga ky rast, të vihej dorë në tekstin e ligjit themelor të shtetit, që gjërat të thuhen qartë e pa ekuivoke. Kushtetuesja, ndoshta, duhet të mendojë edhe për gjëra më të thjeshta karshi joshjes për vendime të forta.

Gazeta “Mapo”

KOMENTE