English

Ndahet nga jeta Haxhi Dede Reshat Bardhi, ngushëllime nga Presidenti Topi

Tiranë, 2 prill 2011, NOA- Ditën e sotme kreu i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Baba Dede Reshat Bardhi është ndarë nga jeta.

Sipas të dhënave paraprake thuhet se arsyet e ndarjes së tij nga jeta, kanë qenë ato shëndetësore për shkak të moshës së tij.

Menjëherë pas marrjes së lajmit kreu i shtetit Bamir Topi ka përcjellë një mesazh ngushëllimi lidhur me këtë humbje të madhe të besimtarëve myslimanë.

Baba Dede Reshat Bardhi prej vitesh ka qenë drejtuesi dhe frymëzimi i gjithë besimtarëve bektashinj.

Më poshtë mesazhi i Presidentit Topi drejtuar familjarëve të Baba Dede Reshat Bardhit:

“Të nderuar familjarë të të ndjerit Reshat Bardhi,

Të nderuar drejtues dhe anëtarë të Bashkësisë Bektashiane,

Me hidhërim të madh dhe dhimbje të thellë mësova se Haxhi Dede Reshat Bardhi u nda përfundimisht nga gjiri ynë. Në këtë ditë të trishtuar, shembulli i këtij njeriu me vlera të jashtëzakonshme humane e shpirtërore, i këtij udhëheqësi fetar të përkushtuar, i cili ka dhënë kontributin e vet të çmueshëm e të pakursyer jo vetëm për fenë e bektashizmit, por edhe për rivendosjen dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri, na detyron të gjithëve të përulemi me nderim e respekt para jetës dhe veprës së tij.

Haxhi Dede Reshat Bardhi i përket atij brezi të paharrueshëm atdhetarësh, të cilët iu kundërvunë diktaturës komuniste nëpërmjet forcës së shpirtit, besimit për të Plotfuqishmin dhe dashurisë për shqiptarizmën. Ai ishte jo vetëm një njeri i rrallë, një udhëheqës fetar altruist dhe frymëzues, por edhe një shqiptar i vërtetë, i cili e kaloi gjithë jetën dhe u shua duke luftuar e duke u përpjekur për idealet më sublime të besimit, lirisë, demokracisë dhe përparimit. Shpirti i tij u prehtë në paqe!”

a.y/NOA

KOMENTE