Tiranë, 2 prill 2011, NOA – Ndërkohë që disa gazeta të përditshme shkruajnë për hedhjen në Shqipëri të një sasie të madhe eurosh e dollarësh të falsifikuara në prag të fushatës elektorale, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit sqaron se nuk janë konstatuar ende denoncime të qytetarëve. Duke iu referuar këtyre shkrimeve të shtypit të shkruar strukturat e Policisë së Shtetit bëjnë me dije se nuk ka raste të denoncuara të qytetarëve të rënë pre e këtyre kartëmonedhave të falsifikuara, qofshin ato në euro, dollarë apo lekë. Gjithashtu policia thekson se nuk ka pasur njoftime as nga bankat për konstatime të rasteve të tilla.
Policia vëren se fenomeni i luftës kundër falsifikimit të monedhave dhe vënies së tyre në qarkullim ka qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes së punës së policisë.
Policia nënvizon se janë bërë përpjekje serioze për të goditur këtë fenomen duke bërë të mundur sekuestrimin e këtyre kartëmonedhave para hedhjes në qarkullim si dhe të kapjes së tyre në rastet kur ato janë hedhur në qarkullim.
Në këtë kontekst Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit i fton të gjithë qytetarët dhe institucionet e ndryshme që të denoncojnë në Policinë e Shtetit çdo rast që ka të bëjë me falsifikimin e kartëmonedhave.
mit/NOA