English

Protesta kundër djegies së kuranit, masakrohen punonjësit e OKB

Afganistan, 1 prill, NOA - Policia afgane thotë se të paktën tetë punonjës të huaj të OKB-së u vranë në Afganistanin verior, pasi një protestë kundër djegies së kuranit, u shoqërua me akte dhune. Kombet e Bashkuara konfirmuan sot se një qendër operative që i përkiste misionit të saj në Afganistan ishte sulmuar. Sulmi ndodhi në kryeqytetin e provincës Balkh, Mazar-e-Sharif. Zyrtarët afganë thanë se demonstruesit sulmuan ndërtesën e OKB-së gjatë protestave kundër djegies së kuranit para disa muajsh nga një prift amerikan në shtetin amerikan jugor të Floridës.

Ky veprim u dënua nga udhëheqësit afganë dhe ata pakistanezë.Qindra protestues dolën nëpër rrugët e Mazar-e-Sharif pas lutjeve të së premtes. Protesta mori drejtim të dhunshëm jashtë zyrave të OKB-së. Zyrtarët afganë thanë se mes të vrarëve ishin pesë roje nepaleze të OKB-së.

Demonstrata kundër djegies së Kuranit u zhvilluan edhe në kryeqytetin e vendit Kabul, dhe në qytetin veriperëndimor të Heratit, ku protestuesit thërrisnin sllogane anti-amerikane. Nuk u njoftua për incidente të dhunshme.

NOA/VOA

KOMENTE