English

Pse s’duhet të votoni Saliun dhe Rosinantin e tij...

Durrës, 2 prill 2011, NOA - Votoni Vangjush Dakon! Votoni kandidatët e Aleancës për të Ardhmen në Krujë, Shijak, Fushë-Krujë e kudo tjetër në këtë qark që meriton një rinisje drejt të ardhmes. Ai meriton votën e çdo durrsaku e durrsakeje, nga lagjet e vjetra deri tek këneta, për atë që ka bërë dhe pa asnjë dyshim do të bëjë, akoma më shumë, në katër vitet e ardhshme për qytetin e për njerëzit pa dallim.....

Nga Edi Rama

Jam shumë krenar për Partinë Socialiste dhe të gjithë opozitën sonte. Ky takim entuziast po i tregon Durrësit dhe gjithë Shqipërisë një forcë më të bashkuar se asnjëherë, me njerëz energjikë e me ambicie të reja për të çuar përpara punën e madhe që kemi nisur duke ndryshuar faqen e qyteteve tona.

Për të çuar përpara lëvizjen e madhe që kemi nisur duke rezistuar për demokracinë, drejtësinë, dinjitetin dhe shpresën e çdo qytetari. Për të çuar përpara Shqipërinë në të vetmen rrugë, në rrugën e qytetarëve pa dallim, në rrugën e aleancës për të ardhmen me çdo shqiptar që do të jetojë në këtë vend i lirë, i respektuar, i mirëqenë, pavarësisht bindjeve të tij politike a ngjyrës së pushtetit.

Erdha në Durrës para disa kohësh dhe më mbeti në mend pamja e ngrirë e kantierit të qendrës së qytetit. Qendra e marrë peng nga Saliu dhe Rosinanti i tij, deri dje ministër për kulturë i tërë Shqipërisë, sot kandidat i qeverisë për Bashkinë e Durrësit. Për ata që s’e mbajnë mend, Rosinanti ishte kali trupkokallë mbi të cilin Don Kishoti luftonte me mullinjtë e erës. Ndërsa Ferdinandi është Rosinanti mbi të cilin Saliu ëndërron të hyjë si pushtues në Durrës në 8 maj. Ja pse e vuri edhe ministër kulture Rosinant Xhaferrin, megjithëse i gjori kalë nuk dinte as ku binte varri i Ismail Qemalit.

E morën peng Saliu megjithë Rosinantin qendrën e Durrësit që durrsakët të mos kënaqeshin dot nga përfundimi i atij projekti të bukur urbanistik.

Që qytetarët të mërziteshin me pamjen e qendrës së ngrirë dhe në 8 maj t’i kthenin krahët atij që votuan katër vjet më parë. Që t’i impononin Durrësit në krye të bashkisë një kalë të Saliut në vend të një njeriu të zot të këtij qyteti, i cili në katër vjet ka treguar me vepra se sot e vetmja rrugë për Durrësin është Vangjush Dako, Partia Socialiste, Aleanca për të Ardhmen.

Nuk është as miqësia e krijuar gjatë këtyre viteve pune të përbashkët dhe as thjesht fakti që Vangjushi është i yni, i Partisë Socialiste, që më shtyjnë t’ju kërkoj sonte durrsakëve, jo vetëm socialistëve, po edhe demokratëve, të votojnë pa ngurrim për të. S’do të mjaftonin kurrë këto dy arsye për të ardhur e kërkuar votën në këtë qytet të veçantë për mua, ku stërgjyshi im zbriti dikur që të hapte shkolla shqipe dhe ngriti bashkë me ndjekës të tjerë të Ismail Qemalit flamurin e pavarësisë, ku im gjysh ndërtoi familjen dhe punoi gjithë jetën e tij, e ku lindi im atë që më përcolli dashurinë e posaçme për Durrësin.

Më shumë sesa një mik e bashkëpunëtor i mirë, më shumë sesa një kandidat i Partisë Socialiste, Vangjush Dako është sot kryetari i provuar i Bashkisë së Durrësit. Ai meriton votën e çdo durrsaku e durrsakeje, nga lagjet e vjetra deri tek këneta, për atë që ka bërë dhe pa asnjë dyshim do të bëjë, akoma më shumë, në katër vitet e ardhshme për qytetin e për njerëzit pa dallim. Punët në të katër anët e qytetit dhe planet e tij të gatshme për të nesërmen e tregojnë vetë se durrsakëve u ka dalë për mbarë vota që dhanë për Vangjushin para katër vjetëve.

Do të mjaftonte renditja e këtyre punëve të mira dhe paraqitja e atyre planeve të bukura që ka kryebashkiaku në tryezë, për të bërë një fushatë fituese dhe festuar një fitore qytetare të politikës sonë vendore këtu në Durrës, si kudo në Shqipëri ku kemi qeverisur qytetin duke respektuar të gjithë qytetarët pa dallim.

Por këto zgjedhje janë më shumë sesa kaq, për Durrësin e për gjithë Shqipërinë.

Të gjithë e dinë se çështja madhore e këtyre zgjedhjeve është përtej çështjeve aspak dytësore të komuniteteve vendore. E di edhe vetë Saliu se kjo çështje është përgjegjësia e drejtpërdrejtë politike, personale dhe morale, e pushtetarëve të sotëm – në qeveri e në parlament - e Saliut në radhën më të parë, për rënien e vendit në një nivel të patolerueshëm padrejtësie, papunësie, pafuqie demokratike dhe ekonomike.

Ne nuk do të lemë energji pa shpenzuar e gur pa luajtur për ta ndalur këtë rënie të frikshme, duke filluar nga vota e 8 majit, kur Durrësi dhe e gjithë Shqipëria duhet të votojnë kandidatët tanë, Partinë Socialiste, e njëkohësisht, me të njëjtën votë, duhet e do t’i thonë Saliut kurrë më.

Kurrë më vrasje e tortura qytetarësh që demonstrojnë kundër qeverisë. Kurrë më grabitje pasurish të popullit e pronash të qytetarëve me ligje antikushtetuese e vendime qeverie të paligjshme. Kurrë më një pushtet që mbron kryeministrin e ministrat nga drejtësia dhe një drejtësi që s’i jep qytetarit të drejtën që i njeh ligji. Kurrë më flakje nga puna të qytetarëve për arsye politike dhe kurrë presion psikologjik mbi nëpunësit e shtetit, mbi mësuesit, mjekët për të mos thënë atë që mendojnë. Kurrë më mungesë konkurrencë në treg dhe monopole që zhvillohen nën sqetullën e kryeministrit për përfitime të paligjshme. Kurrë më trysni mbi median e kapje të saj përmes pushtetit të dhunës e të parave të pista.

Kurrë më shkatërrime si në Krujë e Fushë-Krujë, si në Rrashbull, Sukth, Kryevidh e kudo ku kuajt e Saliut, sigurisht për llogari të të zotit të tyre, nuk kanë lënë pyll pa kafshuar, kodër pa shqyer, ullishtë pa sakatuar, plazh pa shpërfytyruar, tokë buke pa shterpëzuar, pronë pa gllabëruar a futur në konflikt, për të nxjerrë me projekte shkatërruese fitime të shpejta nga rrënimi i trashëgimisë natyrore, historike e kulturore.

Ne jemi sonte bashkë sepse duhet të mbrojmë e zhvillojmë Durrësin, por njëkohësisht nga Durrësi, Kruja, Shijaku, nga krejt ky qark, duam t’i bashkojmë në votën kundër dhunës e kusarisë në pushtet të gjithë njerëzit e zakonshëm pa dallim, socialistë apo demokratë të thjeshtë, që nuk e shtyjnë dot më muajin për shkak të pafuqisë ekonomike. Që po mbyten nën peshën e borxheve. Që s’gjejnë dot më punë ose puna s’u nxjerr më lekët për dritat, ujin, shkollën e fëmijëve. Që s’marrin dot certifikatën e pronës mbi tokën apo toka s’u kthen dot më as shpenzimet për naftën. Dhe t’u themi të gjithëve: E vetmja rrugë për të qenë të lirë të mendoni dhe shprehni atë që mendoni, pa pasur frikë se ju heqin nga puna ose ju vijnë në punën tuaj private për t’ju rënë në qafë, është rruga jonë.

E vetmja rrugë për të gjetur një punë dhe rritur fuqinë e lekut në xhepin tuaj është rruga jonë.

E vetmja rrugë për t’u çliruar nga pesha e tmerrshme e një pushteti të korruptuar, që flet për ju dhe mendon e punon vetëm për vete, është rruga jonë.

Ne e kemi treguar jo me fjalë, po me sjellje e me punë, siç e ka treguar Vangjushi këtu në Durrës, se modeli ynë qeverisës nuk është përjashtues po gjithëpërfshirës. Për ne qytetarët nuk janë blu ose rozë, po njësoj të barabartë në të drejtën për t’u respektuar e shërbyer prej nesh, nën flamurin kuqezi të Republikës sonë dhe në respekt të kushtetutës e ligjeve të saj.

8 maji është dita që secili të kujtohet se para se të jetë socialist apo demokrat, është qytetar me liri të kërcënuara e të drejta të pambrojtura. Vota e 8 majit nuk është vetëm një votë për qytetin a fshatin, po për kushtet e jetesës në vendin tonë, ku qytetari nuk ndjehet as i mbrojtur nga ligji, as i respektuar në të drejtën e tij për të punuar aty ku e meriton dhe për të fituar aq sa meriton, as i përfillur në dinjitetin e tij si njeri kur i duhet të trokasë në dyert e shtetit të tij.

Motra dhe vëllezër, Ne i kontestojmë me forcë zgjedhjet e Saliut pikërisht sepse e dimë që vetëm zgjedhjet sipas standardeve europiane janë kufiri i kapërcimit të madh të shoqërisë shqiptare nga sundimi i korrupsionit qeveritar te sundimi i ligjit, nga liritë e vdekura në letër tek liritë e gjalla në jetën e gjallë të gjithkujt si individ dhe të të gjithëve bashkë si shoqëri, nga ëndrrat e shpresat e çdokujt në realitetin e zhvillimit e të mirëqenies për secilin.

Për të mos hapur rrugën e transparencës, Saliu dhe Iliri sakrifikuan hyrjen e Shqipërisë në paradhomën e Europës , sakrifikuan marrjen prej Shqipërisë të statusit të vendit kandidat në Europën e Bashkuar.

Për të mos u damkosur me fakte si manipulator zgjedhjesh, Saliu zgjodhi të damkosej njëherë e mirë si kryekusar votash. Ndërsa Iliri i mbeti pas këpucës, me bllok në dorë, si llogaritar i pushtetit të vjedhur për të vjedhur Shqipërinë, duke hapur përditë faqe të reja korrupsioni me gishtin e lyer me pështymë.

Por refuzimi i transparencës ka folur po aq qartë sa çdo të fliste vetë transparenca. Kriza e transparencës në Shqipëri ka treguar më qartë se asnjëherë tjetër se vjedhja e votave dhe korrupsioni janë dy anë të së njëjtës medalje; fabrikimi i pushtetit me vota të vjedhura dhe degradimi i qeverisjes në një kusari të pafre, deri në vrasje, janë dy anë të së njëjtës medalje.

Një qeveri e ngritur mbi pazare dhe manipulime s’mund të jetë kurrë e zonja për popullin e vet.

Kurrë ajo nuk prodhon zgjidhje, nuk prodhon punë, nuk prodhon progres, mirëqenie dhe dinjitet për të gjithë, por vetëm rënie, vetëm papunësi, vetëm varfëri, vetëm pasiguri për qytetarët.

Sa shumë shqiptarë, të rinj e të moshuar, ndjehen sot më të pafuqishëm përballë shtrenjtimit të jetesës e kufizimit të mundësive!

Sa shumë shqiptarë kanë humbur punën!

Sa shumë e shumë shqiptarë të tjerë e ndjejnë përditë taksën e pamëshirshme të inflacionit t’ua marrë si era fuqinë e lekut në xhepin e tyre edhe pse Saliu u thotë se sapo u shtoi rrogën a pensionin!

Në anën tjetër, në oborrin e Saliut, korrupsioni dhe abuzimet prekin cdo ditë maja të reja. Maja që bëjnë përditë e më shumë hije mbi oborret e familjeve të zakonshme shqiptare. Ku kanë filluar të trokasin këto ditë kusarët e votave, me lekët e pushtetit të vjedhur dhe kërcënimet e shtetit të kapur.

Duan me çdo kusht t’i shpëtojnë ndëshkimit të sigurt të votës popullore më 8 maj. Ndëshkimit për vrasjet me pushkët e shtetit, për grabitjet me bllok në dorë, për gënjeshtrat me mikrofon qeverie dhe mbi të gjitha ndëshkimit për humnerën e tmerrshme që sot ndan gjendjen ekonomike të qytetarëve zgjedhin me atë të pushtetarëve vjedhin.

Ne jemi shumë të qartë dhe shumë të vetëdijshëm se në çfarë zgjedhjesh të rrezikuara po shkojmë.

Po kurrë nuk mund të pranojmë tërheqjen e qytetarëve, që zgjedhjet t’u hapin rrugën kusarëve të votës. E kundërta duhet të ndodhë: kusarët e votave duhet të tërhiqen dhe t’u hapin rrugën njëherë e përgjithmonë qytetarëve përmes zgjedhjeve të lira dhe Shqipërisë se re.

Ja përse jemi në këtë betejë të gatshëm të sakrifikojmë gjithshka, të luftojmë për të shpëtuar çdo votë, të shkojmë përpara me besim e vendosmëri në udhëtimin drejt këtyre zgjedhjeve që i ngjan një marshimi.

Njihen shumë marshime të mundimshme lirie në historinë e përpjekjeve njerëzore për demokraci e të drejta. Ky yni, sigurisht në modestinë e përmasës së vendit e të çështjes sonë, është i veçantë. Është një marshim mendjesh e zemrash të ndezura nga flaka e vendosmërisë për tu ndarë nga politika e vjetër e prekjes së votës, e kusarisë dhe matrapazllëkut qeveritar, që e kanë burimin tek vota e vjedhur.

Qytetarët shqiptarë e kanë të qartë se zgjidhjet themelore që kanë të bëjnë me punën, punësimin, zhvillimin, rrogat, pensionet, shërbimet, sigurinë e të tjera varen sot kryekëput nga qeveria.

Por kjo qeveri nuk jep më asgjë, po vetëm merr prej shqiptarëve ç’të mundet, duke i vjedhur deri tek lekët e ilaçeve e të abetareve, nuk ka ide, nuk ka një projekt për Shqipërinë e sotme dhe të nesërme, modeli i saj ka shteruar, nuk prodhon më as punë, as zhvillim, as mirëqenie për qytetarët. Këtë qeveri e tërheq zvarrë paaftësia dhe amoraliteti i një kryeministri të rënë, i cili rri në këmbë veç për të rritur me shpejtësi piramidale përfitimet e familjes e të klanit të tij; një e dy s’bën gjë tjetër veç shton borxhet për vendin duke lënë peng të ardhmen e atyre që lindin sot për të mos lënë karrigen e kalbur të një pushteti të stërkonsumuar tash njëzet vjet; shtyn ditët, shtyn kohën me ku rafsha mos u vrafsha.

I vetmi sektor që lulëzon, e vetmja punë që i këndon kësaj qeverie është korrupsioni, kudo, për çdo gjë.

Shqipëria duhet ta tejkalojë Saliun dhe salillëkun shkatërrues e paralizues me kulturën e vlerave më të mira shqiptare dhe europiane, me alternativën dhe programet tona të zhvillimit, me një urë të shtrirë bashkimi mes shqiptarëve që politika e vjetër i ka kthyer pabesisht në kundërshtarë, duke u helmuar shpirtin e mendjen dhe ndarë mesveti si të ishin armiq.

Ajo që ka bërë Vangjushi dhe bashkia këto katër vjet në Durrës, mes vështirësish, pengesash e strekëmbëshash të panumërt të qeverisë qendrore, është alternativë e qëndrueshme. Projekti i tij për katër vjetët e ardhshme është alternative e besueshme. Vetë Vangjushi si individ është alternativë e qartë.

Vangjush Dako e ka bërë realitet atë që kundërshtarët tanë dhe kali i Saliut këtu në Durrës e kanë shpallur si parullë elektorale në këto zgjedhje.

Për Vangjushin qytetarët kanë qenë të parët qysh të parën ditë të qeverisjes së tij dhe ai është e do të jetë kryebashkiaku i gjithë qytetarëve, pavarësisht se votohet me siglën e njërës palë. Kjo është kultura jonë politike, e mishëruar edhe në punën e Bashkisë së Durrësit në katër vjetët që shkuan.

Saliu me të tijtë janë të vonuar në përbetimet e tyre elektorale për të vënë të parët qytetarët.

Koncepti modern i qytetarisë dhe esenca e mirëqeverisjes, sidomos vendore, është përtej së majtës dhe së djathtës, përtej politikës së krahëve. Saliu dhe Rosinanti i tij janë krejt e kundërta.

Dhe problemi i kandidatëve të Saliut, siç është ky kali i tij në Durrës, cili është? Të vjen rëndë ta thuash. I janë bashkuar Saliut për t’u bërë si Saliu e më keq se Saliu. Një ditë prej ditësh Ferdinandi u largua gjoja si reformator nga partia e Saliut, në fakt kur atje nuk kishte gjë për të ndarë, dhe u rikthye si Rosinant i Saliut për të përfituar nga tagjia e oborrit të të zotit në pushtet. Tani ka ardhur në Durrës me parullën për qytetarin. Pasi i ka vënë kryq vetes së tij, duke u kthyer në kalë për të zotin, na nxirrka të parin qytetarin.

Cilin qytetar nxjerrin të parin në Durrës Saliu me Rosinantin e tij?

Nxjerrin të parin qytetarin e vjetër durrsak, që i premtuan qeverisje me duar të pastra dhe sot s’kanë ku ia fshehin duart e përgjakura e të përlyera me vrasje e zullume të patregueshme?

Apo mos nxjerrin të parin qytetarin e ri të Kënetës së Durrësit, ku janë mësuar të mbledhin vota me premtime që janë bërë legjendë, ndërkohë që Këneta e plot zona të tjera të këtij qyteti vijojnë të përmbyten sa herë bie shi për fajin e Saliut?

As durrsakët e vjetër, as durrsakët e rinj s’mund të bëhen më mish për topat elektoralë të Saliut.

Transformimet e Durrësit nën qeverisjen tonë vendore janë në sytë e të gjithëve dhe garancia e të nesërmes është në arritjet konkrete të derisotme.

Durrësi jo vetëm nuk do të kthehet mbrapa, por do të ndikojë me votën e vet që e gjithë Shqipëria të bëjë përpara dhe njerëzit e zakonshëm të këtij vendi të bashkojnë votën e tyre në 8 maj për të vetmen rrugë që i nxjerr nga kriza ku e ka mbërthyer shoqërinë keqqeverisja e Saliut.

Durrësin e Tiranën ne do t’i kthejmë në pol strategjik zhvillimi të një Shqipërie moderne në kuadrin e projekteve tona rajonale e ndër-rajonale, gjithnjë e më të integruara.

Projekti i kryetarit të Bashkisë së Durrësit, është komplementar me programin tonë kombëtar të zhvillimit, ku deti dhe infrastruktura zënë një vend që nuk e kanë patur në asnjë prej programeve të derisotme të zhvillimit.

Sot Shqipëria është shumë larg mundësive që ka në gjithë vijën bregdetare dhe në hapësirën detare. Ne kemi dy dete qe peshkohen pak, lundrohen pak dhe shfrytëzohen shumë pak në krahasim me vendet fqinje të bregdetit lindor të Adriatikut, si Sllovenia, Kroacia apo Mali i Zi. ( Me Italinë dhe Greqinë nuk ka vlerë krahasimi). Mjafton të përmendin dy fakte. Sllovenia me 46 kilometra bregdet ka 13 porte turizmi dhe tranziton nga portet e saj 17 milion ton mall. Shqipëria me 427 kilometra bregdet nuk ka asnjë port turistik dhe tranziton një sasi të përfillshme malli nga portet e saj. Nuk po flasim për Kroacinë, ku portet turistike janë me qindra. Nuk po krahasojmë as shifrat e zënies së peshkut, sepse atëherë do të mendojmë se nuk paskemi det.

E ka thënë drejt një miku ynë: Kemi një det që fle dhe duhet ta zgjojmë nga gjumi. Ne do ta bëjmë.

Durrësi do të përfitojë shumë nga ky vizioni ynë i ri për Shqipërinë. Në optikën e këtij vizioni ne shohim qartë një Shqipëri tjetër, një Shqipëri që punon dhe ku punohet skaj më skaj, një Shqipëri të shanseve për të gjithë, një Shqipëri ku liria, ligji dhe qeverisja e mirë sfidojnë krizat dhe çlirojnë progresin.

Me ne do të marrë fund historia e rrugëve të palidhura, e investimeve propagandistike që janë burim i vazhdueshëm korrupsioni e dëmtimi të ekonomisë, e investimeve që nuk marrin jetë, e investimeve jofunksionale, e investimeve në vendin e gabuar që sjellin më shumë dëm se sa dobi.

Njëzëri me kryetarin e bashkisë së Durrësit dhe shumicën dërrmuese të qytetarëve durrsakë, ne e kundërshtojmë me forcë vendosjen e portit të peshkimit në kalatën perëndimore, pranë shëtitores “Taulantia”, në një zonë të mirëfilltë urbane turistike nga më të veçantat dhe më shplodhëset e bregdetit të Durrësit.

Ky vendim duhet anuluar një orë e më parë. Të njëjtin qëndrim kemi për vendosjen e TEC-it në Porto-Romano.

Investime të tilla s’mund të bëhen kurrsesi në dëm të së ardhmes, përkundrazi, duhet t’i shërbejnë të ardhmes. Ne e dimë si bëhen investimet që i shërbejnë të ardhmes e njerëzve të këtij vendi dhe do t’i bëjmë ato, duke u prirur nga interesi publik e kombëtar, jo nga prirja gërryese për përfitime të paligjshme.

Të dashur miq, Demokracia ka vetinë e mrekullueshme se i krijon vetë mjetet e vetëmbrojtjes. Aty ku dështon qeveria, aty ku vjedh qeveria, aty ku vret qeveria, po aty demokracia hedh vështrimin e shpresës dhe besimit nga opozita, duke e ngarkuar këtë të fundit jo thjesht me detyrën e përballjes me kundërshtarin në një garë elektorale, por me një mision ndryshimi dhe rilindjeje për vendin.

Kjo opozitë e njeh misionin e vet për të udhëhequr kalimin e vendit nga sundimi i oborrit kryeministror te sundimi i ligjit dhe është më e vendosur se kurrë ta shërbejë e përmbushë këtë mision.

Prandaj shpërndahuni lagje më lagje, fshat më fshat, e derë më derë, dhe kërkojuni njerëzve të zakonshëm pa dallim, t’i japin kësaj opozite fuqinë dhe mandatin e votës për të përmbushur shpresën e tyre.

Votoni Vangjush Dakon! Votoni kandidatët e Aleancës për të Ardhmen në Krujë, Shijak, Fushë-Krujë e kudo tjetër në këtë qark që meriton një rinisje drejt të ardhmes.

Na duhet mbështetja e të gjithëve që të mund t’i mbështesim të gjithë.

Rroftë Shqipëria

*Fjala e Kryetarit të PS-së Edi Rama në çeljen e fushatës për Durrësin

KOMENTE