Tiranë, 2 prill 2011, NOA – Duke rikujtuar simbolet e besimit bektashian se “gjithçka rreth nesh është e gjelbër. E gjelbërta është e kthjellët, paqësore, e pastër, kjo është ngjyra e tokës”, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u lut sot që toka ku do të prehet trupi i Kryegjyshit Botëror Bektashian Haxhi Dede Reshat Bardhi i qoftë e lehtë dhe shpirti t’i prehet në paqe. Ishte ky një nga pasazhet e mesazhit të ngushëllimit që Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i dërgoi sot kryegjyshatës për ndarjen nga jeta të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve Haxhi Dede Reshat Bardhi, këtë të shtunë në moshën 75-vjeçare.
Në mesazhin e saj drejtuar anëtarëve të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Shqipëri dhe kudo në botë, kryeparlamentarja Topalli shprehet se e ka mësuar me hidhërim të thellë lajmin e vdekjes së Haxhi Dede Reshat Bardhit.
“Sot është një ditë shumë e trishtuar për ju familjarët e tij, për të gjithë besimtarët bektashianë, por edhe të gjithë shqiptarët. Ne të gjithë gjetëm te figura e Haxhi Dede Reshat Bardhi mishërimin e idealeve më të larta njerëzore, shpirtërore dhe të atdhetarizmit. Edhe në vitet më të vështira të mohimeve të mëdha, ai nuk u përkul, iu përkushtua besimit dhe nuk rreshti në asnjë çast t’i përkushtohej vlerave sublime të lirisë, të demokracisë dhe të progresit”, shkruan zonja Topalli në mesazhin e saj të ngushëllimit.
Duke iu referuar faktit se Haxhi Dede Reshat Bardhi rihapi Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, zonja Topalli thekson se ai u shqua si një drejtues shpirtëror, por edhe kontribues e atdhetar për ruajtjen e marrëdhënieve tradicionalisht shumë të mira midis besimeve të ndryshme fetare në Shqipëri, i bindur se toleranca fetare është hyjnore, por edhe një ndër virtytet më të mira të shqiptarëve.
Për kryeparlamentaren Topalli, Haxhi Dede Reshat Bardhi do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve si një ndër atdhetarët e përkushtuar dhe një ndër udhëheqësit shpirtërorë të nderuar e të dashur të kombit shqiptar.
mit/NOA