English

Topi: 20 vjet pas 2 Prillit ‘91, duhet bashkim për ta konsoliduar demokracinë

Tiranë, 2 prill, NOA – “Në 20-vjetorin e demonstratës antikomuniste të 2 Prillit në Shkodër, mendimi ynë shkon në nderim e respekt të kujtimit të katër dëshmorëve të demokracisë që u vranë pabesisht gjatë asaj proteste: studentit të dhjetorit, Arben Broci dhe tre bijve të tjerë të Shkodrës Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka”.

Me këto fjalë nis mesazh i Presidentit të Republikës, Bamir Topi, në përkujtim të 20-vjetorit të demonstratës antikomuniste të 2 Prillit në Shkodër.

Duke shtuar se “ata janë tashmë pjesë e pashlyeshme e qëndresës antikomuniste, e shpirtit shkodran që nuk pranoi kompromis për demokracinë e shumëpritur, por edhe e shpirtit shqiptar në përgjithësi që për lirinë ka luftuar e sakrifikuar në shekuj”. Më pas, kreu i shtetit ka pohuar se “20 vjet nga ajo demonstratë që pati si protagonistë kryesorë studentë e gjimnazistë të Shkodrës, rruga për ndërtimin e demokracisë në Shqipëri vazhdon të jetë me sfida të rëndësishme, të cilat kërkojnë impenjimin e gjithsecilit”.

“Përpjekjet e të gjithëve duhet të bashkohen për ta konsoliduar demokracinë tonë të re, si një garanci se po ecet në drejtimin e duhur, atë drejt familjes së madhe euroatlantike. Nderim dhe respekt për katër dëshmorët e demokracisë dhe për të gjithë ata ish-nxënës, studentë e qytetarë të Shkodrës, që 20 vite më parë demonstruan duke kërkuar siguri për të ardhmen e pluralizmit dhe sistemit demokratik të fituar në dhjetor 1990. I paharruar qoftë kujtimi i Arben Brocit, Nazmi Kryeziut, Bujar Bishanakut dhe Besnik Cekës!”, përfundon mesazhi i tij.

n.e/NOA

KOMENTE