Është diçka e mrekullueshme të jem përsëri në Shqipëri, sidomos në një ditë të bukur pranvere. Nuk kam në plan t’ju mbaj një fjalim të gjatë sot. Dua vetëm të vë në dukje tri pika të rëndësishme
Nga Tomas Kantrimen
Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA
Së pari, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të bashkërendojnë shumë ngushtë me Bashkimin Europian dhe me OSBE-në sepse bashkëndajmë të njëjtën shpresë për të ardhmen e Shqipërisë. Siç na kujtoi të gjithëve vizita e Komisionerit Fyle, e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian dhe shpresoj që të gjithë shqiptarët do të mbajnë parasysh që pikërisht kjo është çështja dhe sfida më e madhe, më e madhe edhe se zgjedhjet që po vijnë muajin tjetër.
Suksesi i këtyre zgjedhjeve mund të përshpejtojë ose mungesa e suksesit mund ta ngadalësojë procesin e anëtarësimit në BE. Është e kuptueshme që duam të shohim një përshpejtim; kjo është ajo që meriton populli shqiptar. Kjo më sjell në pikën e dytë që dua të vë në dukje.
Siç e kam thënë edhe më parë, këto zgjedhje për qeverisjen vendore, nuk i përkasin partive politike; i përkasin popullit shqiptar. Shqiptarët duhet të marrin pronësinë e këtyre zgjedhjeve duke marrë pjesë në to, duke këmbëngulur për një fushatë të pastër, si edhe duke ofruar vëzhgues të pavarur vendas.
Gjithashtu, njerëzit duhet të këmbëngulin dhe të presin nga partitë të respektojnë nevojën për një mekanizëm të pastër për të zgjidhur çfarëdo mosmarrëveshjeje që mund të lindë ditën e zgjedhjeve.
Pika e tretë, shumë shkurt, është që Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të këmbëngulin në respektin për institucionet e pavarura të Shqipërisë, sipas Kushtetutës së Shqipërisë. Këtu përfshihet edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, edhe pse ky nuk është një institucion i pavarur në po atë mënyrë si edhe Prokuroria e Përgjithshme.
U takova me Z. Ristani sot. Së pari, theksova që Komisioni duhet të jetë i drejtë dhe objektiv si dhe transparent në të gjitha vendimet e tij. Së dyti, që presim nga të gjithë anëtarët e Komisionit që të respektojnë detyrimin e tyre për të marrë pjesë në punën e Komisionit. Dhe, së treti, që SHBA, ashtu si dhe BE dhe OSBE, respektojnë rolin e Komisionit për të vendosur standardet për zgjedhje të drejta dhe për zgjidhje të drejtë të çfarëdo mosmarrëveshjesh.
Këto janë tri pikat e mia kryesore.