English

Vetëvendosje: Kandidatët për regjistrimin e popullsisë janë zgjedhur mbi baza partiake

Drenas, 2 prill 2011, NOA- Lëvizja Vetëvendosje në Drenas ka reaguar lidhur me mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve që do të merren me regjistrimin e popullsisë në këtë komunë.

Në një deklaratë për mediat Vetëvendosje shprehet se, “Lëvizja Vetëvendosje në Drenas shpreh shqetësim për ngjarjet e fundit për përzgjedhjen e kandidatëve në komisionin komunal për regjistrimin e popullsisë në komunën e Drenasit dhe për mënyrën se si pushteti komunal ka zgjedhur ti punësojë këta persona që nuk janë aspak të përgatitur për tu marrë me një proces kaq të rëndësishëm siç është regjistrimi i popullsisë dhe i pronave, reagon dhe dënon ashpër mënyrën se si është bërë selektimi i tyre”.

Lidhur me këtë mënyrë përzgjedhje, Vetëvendosje shprehet se, dënon mënyrën se si është bërë selektimi i këtyre kandidatëve në baza partiake dhe klanore.

Sipas degës së Drenasit thuhet se, “Nuk është në rregull që të punësohen për një proces të tillë, persona që nuk janë të përgatitur për tu marrë me këtë, por që vetëm janë militantë të një partie të caktuar e cila ka pushtetit aktualisht në Drenas. Pra, shumica dërmuese e të pranuarve janë persona që kishin vjedhur vota për PDK-në, në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar”.

Ndër të tjera thuhet se lidhur me këtë proces nuk janë pranuar personat që nuk i takonin këtij subjekti politik edhe pse kishin ofruar dokumente të bollshme shkollimi.

Sipas Vetëvendosjes në këtë proces janë favorizuar vetëm militantët partiakë dhe familjarët e të punësuarve në Kuvendin Komunal të Drenasit.

Lëvizja Vetëvendosje në Drenas, konsideron se kjo është shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të njeriut, dhe kërkon që diskriminimi i qytetarëve dhe dallimi në baza partiake të ndalet një herë e përgjithmonë.

a.y/NOA

KOMENTE