Tiranë, 2 prill 2011, NOA – Vdekja e udhëheqësit shpirtëror të besimtarëve bektashinj, Haxhi Dede Reshat Bardhi ka hidhëruar edhe shefin e Prezencës së OSBE-së, Ambasadorin Eugen Wollfarth, i cili shprehu sot ngushëllimet e tij për vdekjen e Kryegjyshit botëror në moshën 76-vjeçare nga një sëmundje e rëndë.
“Me trishtim dhe keqardhje të thellë mësova sot për ndarjen nga jeta të Haxhi Dede Reshat Bardhit. Pa asnjë dyshim, ai ishte një personalitet i një urtësie të pamatë, humanizmi dhe integriteti sipëror”, shkruan në mesazhin e tij ambasadori Wollfarth.
Ambasadori i OSBE-së vlerëson se kontributi i tij për nxitjen e tolerancës dhe harmonisë ndërfetare në Shqipëri, vende të tjera të botës dhe në komunitetin bektashi do të jetë, padyshim, një nga trashëgimitë e tij më jetëgjata.
“Do të doja t'i shprehja ngushëllimet e mia të sinqerta familjes së të ndjerit Haxhi Dede Reshat Bardhi, Kryegjyshatës dhe besimtarëve bektashi në Shqipëri dhe në të gjithë botën”, përfundon mesazhin e tij të ngushëllimit ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth.
mit/NOA