Tiranë, 3 prill 2011, NOA- Kandidati për Bashkinë e Tiranës, i koalicionit “Aleanca për qytetarin, Lulzim Basha gjatë ditës së sotme u ndal në një takim me banorët e njësisë numër 3 në kryeqytet.
Asfaltimi i rrugëve, gjelbërimi, pastrimi, strehimi, ambientet çlodhëse për të moshuarit, kënde lojërash për fëmijët, biblioteka dhe mundësi për të penetruar falas në internet kanë qenë disa nga kërkesat që banorët e kësaj zone i kanë bërë kandidatit të maxhorancës.
“E para për mua është transparenca, do të tregojmë sa taksa mbledhim dhe si i shpenzojmë. E dyta taksat nuk do i shpenzojmë për rroga, paratë do ti rikthehen qytetarit nëpërmjet shërbimeve”, u tha Basha banorëve.
Ai iu drejtua qytetarëve të zonës duke thënë se të gjitha problemet e paraqitura janë parësore për komunitetin dhe janë problemet e tij.
Ndër të tjera Basha u premtoi banorëve se në çdo lagje të Tiranës, do të ndërtohen hapësira të gjelbra për fëmijët.
Sakaq kandidati i maxhorancës i ka garantuar qytetarët se realizimi i kërkesave të tyre do të jetë prioritet i punës së tij në krye të bashkisë së Tiranës.
a.y/NOA