English

Berisha: Durrësi, një nga destinacionet turistike në Mesdhe

Durrës, 3 prill 2011, NOA Update – Kryeministri Sali Berisha deklaroi se vizioni i “Aleancës për qytetarin” është që Durrësi të jetë një nga qytetet kryesore turistike në mesdhe.

Në çeljen e fushatës elektorale në Pallatin e sportit të Durrësit shefi i qeverisë tha se “Vizioni ynë për Durrësin është Durrësi një nga portet më të rëndësishme të Adriatikut, është Durrësi një nga qendrat më të mëdha industriale të vendit, është Durrësi gjenerator kryesor i zhvillimit të Shqipërisë”.

Kreu i qeverisë garantoi se “në katër vitet që vijnë do të shndërrojmë në realitet që ju qytetarët e Durrësit do të hartoni së bashku me kryebashkiakun tuaj. Kjo është alternativa jonë, alternativa e përkushtimit dhe vizionit të qartë te e ardhmja”.

Sipas kryeministrit kjo fushatë ka për qëllim që qytetarët e Durrësit të votojnë të lirë si në të gjithë Europën.

“Të vazhdojmë dhe të ndërtojmë së bashku programin më të mirë që Shqipëria dhe Durrësi kanë njohur ndonjëherë”, siguroi kryeministri.

Duke iu referuar sloganit të opozitës “Fajin e ka Saliu”, kryeministri theksoi se kjo alternativë nisi me “Fajin e ka Saliu” dhe bitisi me rrugën e Partisë.

“Unë dhe zoti Xhaferri dhe të gjithë kandidatët tanë në alternativën tonë përjashtojmë kundërshtarin, sepse ne na frymëzon zhvillimi, na frymëzojnë vlerat dhe morali juaj, na frymëzojnë shqetësimet tuaja dhe jo rruga e partisë ndaj dhe do t’u them zotërinjve vazhdoni të qetë rrugën e Partisë. Së bashku do fitojmë”, tha kryeministri Berisha.

Duke prezantuar kandidatin e “Aleancës për qytetarin” Ferdinand Xhaferrin, kryeministri Berisha tha se zoti Xhaferri apo kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Durrësit është njëri prej personaliteteve më të spikatura të Partisë Demokratike, ministri i suksesshëm i Kulturës.

Shefi i ekzekutivit siguroi se qeveria është e vendosur të ndërtojë të ardhmen madhështore të qytetit të Durrësit.

“Cilido që njeh Durrësin që viziton qytetin tuaj gjen në këtë qytet të shkuarën madhështore të Durrësit. Ndaj dhe jam këtu që t’ju jap fjalën se qeveria do t’i japë Ferdinand Xhaferrit mbështetjen më të madhe për Durrësin e shekullit të 21-të”, tha kryeministri.

Në këtë kontekst ai përmendi projektet e mëdha të qeverisë për infrastrukturën e qytetit të Durrësit.

“Në këto vite ne kemi bërë çdo gjë për t’i dhënë Durrësit infrastrukturën e një qyteti modern, kemi investuar në territorin e bashkisë së Durrësit, në Shkëmbin e Kavajës, në Currila dhe Porto Romano. Kemi investuar 60 milionë dollarë në ujësjellësa, 30 milion dollarë për kanalizimet, në portin e Durrësit kemi investuar 50 mln dollarë. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar 300 km rrugë, 52 shkolla, 105 ujësjellësa dhe kanalizime”, bëri me dije kryeministri.

Ai nënvizoi se kjo fushatë elektorale do t’i kushtohet tërësisht qytetarit.

“Këtë fushatë ne do ta vazhdojmë tërësisht për ju, si fushatë për qytetarin, ju jeni të parët, sepse morali juaj është ai moral që do ta shndërrojë Shqipërinë me shpejtësi drejt Europës së qytetëruar. Ju jeni të parët sepse vetëm me ju do të ndërtojmë së bashku qindra dhe mijëra projekte për Durrësin e sotshëm dhe të ardhshëm, për Durrësin evropian”, premtoi shefi i qeverisë.

Sipas kryeministrit qytetarët janë të parët, pasi “Aleanca për qytetarin” do t’u japë përgjigje të gjitha halleve dhe problemeve të qytetarëve.

“Qytetarë të Durrësit, ne jemi alternativa e premtimeve të mbajtura, e ndryshimeve të mëdha. Këto vite ne ia dolëm që Shqipëria, e cila nuk ekzistonte në hartën turistike të jetë sot destinacioni kryesor i turizmit në botë, ia dolëm të lëvizim të lirë me dinjitet në të gjithë Europën, ia dolëm të dyfishojmë rrogat e pensionet, ia dolëm të shënojmë kthesën e madhe në sistemin e edukimit të fëmijëve tanë”, tha zoti Berisha.

mit/NOA

KOMENTE