Durrës, 3 prill 2011, NOA- Kryeministri Berisha në këto moment nga qyteti i Durrësit po prezanton kandidatin e koalicionit e “Aleancës për qytetarin” për Bashkinë e Durrësit, Ferdinand Xhaferri.
Në fjalën e tij Kryeministri Berisha tha se qeveria do i japë Xhaferrit mbështetjen më të fuqishme për Durrësin, pasi tha ai duam që Durrësi të qendrojë në lartësinë e të shkuarës së tij madhëshotre.
“Ne kemi investuar në territorin e Bashkisë së Durrësit nga Shkëmbi i Kavajës deri në Currila e Porto Romano, kemi investuar në ujësjellësa e kanalizime, kemi investuar në portin e Durrësit, miliona dollarë”, u shpreh shefi i maxhorancës.
Më tej ai shtoi se kjo fushatë do të bazohet tërësisht te qytetarët, pasi ata janë të parët, sepse tha Berisha, morali i qytetarëve është ai moral që do të çojë Shqipërinë drejt Europës së qytetëruar.
Sipas tij vizioni për Durrësin është i madh pasi ai është gjeneratori kryesor për zhvillimin e Shqipërisë.
“Së bashku me ju do të vazhdojmë së bashku qindra e mijëra projekte për Durrësin Europian e për Shqipërinë Europiane, ju jeni të parët sepse ne duam para së gjithash ti japim përgjigjen më të mirë së bashku halleve e shqetësimeve. Për ne punësimi juaj dhe shërbimet ndaj jush janë dhe do mbeten përparësitë më të mëdha. Alternativa jonë është alternativa e premtimeve të mëdha, ne së bashku e shndërruam Shqipërinë në vend anëtar të NATO-s dhe po së bashku bëmë që Shqipëria të jetë destinacioni kryesor i turizmit në botë, ne ia dolëm së bashku që të lëvizim të lirë”, u shpreh Kryeministri Berisha.
a.y/NOA