English

Bogdani: Shpifjet e Ramës nuk e dekurajojnë Bashën, projekti i tij është serioz

Tiranë, 3 prill 2011, NOA- Deputeti demokrat Gerti Bogdani duke ju drejtuar Edi Ramës tha se, politika e tij nuk sjell asnjë risi.

Sipas tij, Edi Rama tregoi sot se nuk bën asnjë ditë pushim në fushatën e tij të shpifjeve dhe përbaltjes së kundërshtarit ndërsa mungon çdo ditë kur vjen puna për të ofruar ide, alternativa dhe zgjidhje për qytetarët e Tiranës.

“Ju e patë se Edi Rama ishte dje në Durrës duke vazhduar luftën e tij politike, e cila nuk ndërton asnjë rrugë të re, asnjë shkollë të re, asnjë park të ri në qytet. Kjo politikë e Edi Ramës nuk sjell asnjë vend të ri pune, nuk ul as taksat dhe as çmimet. Ndërsa Lulzim Basha ishte dje, sot, dhe do të jetë çdo ditë në mes të qytetarëve të Tiranës, duke ndarë me ta hallet dhe shqetësimet, si dhe duke komunikuar për zgjidhjen e problemeve të mëdha që ka qyteti dhe jeta e përditshme”, u shpreh Bogdani.

Ndër të tjera ai e akuzoi kryeopozitarin Rama se po përsërit çdo ditë programin e fyerjeve të ulëta dhe shpifjeve jashtë çdo etike qytetare.

Bogdani theksoi se shpifjet e Ramës nuk e dekurajojnë aspak Lulzim Bashën, pasi ai ka një projekt serioz për përmirësimin e jetës në Tiranë, sepse sipas tij për kandidatin e maxhorancës, Tirana është e para dhe të parët janë qytetarët e saj.

a.y/NOA

KOMENTE