Vlorë, 3 prill 2011, NOA- Në nder dhe mirënjohje të kontributit të tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ditën e sotme, zhvilloi një vizitë në familjen e punonjësit të policisë të rënë në krye të detyrës, Nënkomisar Roland Likaj. Burgaj, u theksoi familjarëve të të ndjerit se në historinë e Policisë së Shtetit Nënkomisar Roland Likaj është memorizuar si figura e punonjësit të policisë të devotshëm që nuk kurseu as jetën në shërbim të komunitetit.
“Policia e Shtetit do të jetë gjithmonë në krah të familjarëve të tij, duke u kujdesur në mënyrë të veçantë për mirërritjen e dy fëmijëve të tij. Me vënien para drejtësisë të autorëve të vrasjes, kanë filluar dhe procedurat për shpalljen “Dëshmor të Atdheut” të punonjësit të policisë Roland Likaj dhe familjarët e tij do të përfitojnë të gjitha ato privilegje që u njeh ligji familjeve të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës, një pjesë të të cilave tashmë i kanë përfituar”, u shpreh Burgaj në fjalën drejtuar familjarëve të Likaj.
Më tej ai shtoi se Nënkomisari i rënë në krye të detyrës, shërben si shembull për çdo punonjës policie, për të vazhduar me vendosmëri punë për të garantuar siguri për komunitetin
Në këtë vizitë Burgaj shoqërohej dhe nga Drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë, Drejtues Ylli Metko.
a.y/NOA