Sanremo, 3 prill, NOA – Artur Tataveshi është dorëzuar vet në polici pas plagosjes që i bëri drejtorit të një supermarketi në qytetin e Sanremos në Itali. Ngjarja që ndodhi një javë më parë, solli reagime në opinion për motivet e saj. 34-vjeçari Tataveshi qëlloi me pistoletë 50-vjeçarin Mario Marconetto, pas debateve që ata bënë brenda në supermarket.
Sipas Tataveshit, grindja me italianin ka ardhur pasi ky i fundit i kishte ngacmuar motrën. Në debat e sipër ai ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar 50-vjeçarin.
Pas dy ditësh kërkimesh, Tataveshi është dorëzuar vet në polici duke dhënë dhe sqarime për ngjarjen. Dje ai ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se nuk ka pasur si qëllim që ta vriste 50-vjeçarin, por vetëm të trembte atë.
Tataveshi është shprehur se plumbi nga pistoleta ka dal pa dashje. Ndërkohë 50-vjeçari italian është plagosur në bark dhe sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën.
Pas dorëzimit, 34-vjeçari është futur në burgun e “Valle Armea” në qytetin e Sanremos. Ndërkohë avokati i Fabrizio Spigarelli ka mbrojtur dëshminë e shqiptarit dhe ka thënë se ky do të jetë dhe versioni në procesin gjyqësor.
a.k/NOA