Prishtinë, 3 prill 2011, NOA – Ndërkohë që AKR po kërcënon me kartën e daljes nga koalicioni qeverisës pas vendimit të Gjykatës kushtetuese për rrëzimin e presidentit Behgjet Pacolli, Kryeparlamentari i Kosovës Jakup Krasniqi, i cili do të marrë nesër detyrën e Ushtruesit të Presidentit i bën thirrje partive politike të gjejnë një zgjidhje urgjente me qëllimin e vetëm që Kosova të mos hyjë në krizë institucionale.
Krasniqi theksoi se koalicioni i paqëndrueshëm mund të çojë Kosovën sërish drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Krasniqi apeloi që partitë politike të ulen në tryezë për të gjetur një zgjidhje më të mirë se zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Unë nuk do kisha thënë për zgjedhje të jashtëzakonshme. Besoj se partitë politike duhet të ulen të bisedojnë për reformën zgjedhore, është e domosdoshme të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe zgjidhja për të ecur përpara të gjendet mbi bazën e një marrëveshjeje”, nënvizoi kryeparlamentari i Kosovës.
Ndërkohë zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi, deklaroi se çelësi për zgjidhjen e krizës është në duart e partive politike, duke siguruar gjithashtu se “nëse partitë janë të gatshme të bllokojnë zgjidhjen, atëherë sikundër tha ai edhe PDK është e gatshme të shkojë në zgjedhje të reja.
mit/NOA