Tiranë, 3 prill 2011, NOA – Lideri i opozitës Edi Rama, njëherësh kandidati për të katërtin mandat të kryebashkiakut të Tiranës prezantoi sot në mbrëmje kandidaten për minibashkinë nr.1 në Tiranë, Lindita Nikollin, e cila kandidon për mandatin e dytë në këtë zonë.
Gjatë prezantimit të Nikollit, kryesocialisti Rama i bëri me dije kundërshtarit të tij politik kryeministrit Berisha që ta harrojë Tiranën.
Kryesocialisti Rama akuzoi mazhorancën se e ka lënë Tiranën në gjendje të mjerueshme duke tentuar ta marrë me dhunë.
“Ta harrojë Tiranën. Në vend që të bëjnë premtime mashtruese duhet t’i japin llogari për keqqeverisjen e tyre, llogari për faturat dhe çmimet e papërmbajtshme, taksat e pamëshirshme të inflacionit, për vrasjet, grabitjet, dhe shpifjet që na kanë hedhur në punën e palodhur që ne kemi bërë”, deklaroi Rama.
Nën sloganin “E vetmja rrugë”, lideri i opozitës u kërkoi banorëve të njësisë bashkiake nr. 1 të votojnë Lindita Nikollën.
“Lindita është Tirana që duam. Jam krenar sot që katër vjet pas zgjedhjes së saj të kthehem në këtë fushë për t’i thënë banorëve të ‘Ali Demit’ dhe të Shkozës që në 8 maj votoni për veten duke votuar për Linditën”, tha Rama.
Ai vlerësoi punën e kryetares aktuale të minibashkisë nr. 1 duke theksuar se puna e saj i bën qytetarët e këtij komuniteti të besojnë tek e nesërmja.
“Lindita është fjala më e mirë dhe lëvdata jonë më e madhe për komunitetin e kësaj njësie gjatë katër viteve dhe është premtimi ynë më i fortë”, tha shefi i PS-së. Kryesocialisti Rama i kërkoi votuesve që me votë të dënojnë pushtetin që po tenton të grabisë popullin.
“Lindita është Tirana që ne duam ndaj politikës së vjetër të ndasive, të mostrave që mashtrojnë, të pushtetit që flet dhe mendon për veten”, nënvizoi kreu i Partisë Socialiste.
Rama shtoi ndërkaq se “vota për Lindita Nikollin është arsye për t’i thënë Saliut kurrë më grabitje pasurish të popullit, kurrë më një pushtet që mbron ministra dhe kryeministrin nga drejtësia”.
mit/NOA