English

Tirana që duam është Lindita...

Tiranë, 3 prill 2011, NOA - ... U them të gjithëve, e vetmja rrugë për të qenë të lirë të mendoni dhe shprehni atë që mendoni, pa pasur frikë se ju heqin nga puna ose ju vijnë në punën tuaj private për t’ju rënë në qafë, është rruga jonë. Rruga e Lindita Nikollës. Rruga e Partisë Socialiste. Rruga e Aleancës për të Ardhmen. Lindita është Tirana që duam....

Nga Edi Rama

Jam krenar sot që, katër vjet pas zgjedhjes së Lindita Nikollës, të rikthehem në këtë fushë të transformuar si nata me ditën, për t’ju thënë banorëve të Ali Demit e të Shkozës: Në 8 maj votoni për veten duke votuar Linditën.

Lindita është Tirana që duam. E mençur, e vendosur dhe e papërtuar.

Në këtë punë fantastike që kam fatin të bëj, duke drejtuar Tiranën dhe udhëhequr Partinë Socialiste, më është dhënë mundësia të njoh plot njerëz me vlera. Padyshim një prej atyre që ka zënë një vend të posaçëm në zemrën time është Lindita. Falë virtyteve e punës së saj të palodhur.

Lindita është Tirana që duam. Qytetaria e saj e bën këtë komunitet të ndjehet shumë më mirë se katër vjet më parë. Puna e saj i bën qytetarët e këtij komuniteti të besojnë tek e nesërmja pa mëdyshje. Dera e saj e hapur gjithnjë për këdo, pavarësisht moshës, gjendjes sociale, përkatësisë krahinore, fetare apo partiake, e bën një investim të sigurt votën e gjithsecilit për Linditën.

Lindita Nikolla është e vetmja rrugë për Njësinë Bashkiake numër 1.

Në një fushatë elektorale kërkohen gjithnjë fjalët më të mira, lëvdatat më të mëdha, premtimet më të forta.

Lindita është fjala jonë e mirë tash katër vjet në këtë njësi. Lindita është një lëvdatë e madhe që mund t’i bëhet Partisë Socialiste për marrëdhëniet me komunitetin në këto katër vjet qeverisje vendore. Lindita është premtimi ynë më i fortë për katër vitet që do vijnë me edhe më shumë punë e përkujdesje për çdo banor, familje, bllok banimi, lagje e hapësirë të qytetit tonë.

Kush e njeh historinë personale të Lindita Nikollës ndjen respekt të thellë për këtë grua fisnike, mësuese, drejtore shkolle, aktiviste shoqërore, që gjithnjë le pas mbresën e mirë të njohjes, takimit, punës, bashkëpunimit me të.

Kush di sadopak për historinë e këtyre katër vjetëve në administrimin e kësaj njësie, mund të tregojë raste të panumërta përkushtimi, përkujdesjeje, përpjekjesh të kryetares për të zgjidhur halle njerëzore nga më të ndryshmet, shpesh përtej çdo kompetence e mundësie institucionale. Unë do t’ju tregoj një.

Takuam në kafen këtu pranë, në njërin prej shumë rasteve kur pas një pune në këtë njësi ulemi bashkë me Linditën, një burrë të moshuar. Mësues e pedagog i vjetër, edukator i njohur i shumë brezave, i cili spontanisht na tregoi pengesat e pakapërcyeshme që kishte ndeshur në Ministrinë e Punës për kartonin e invalidit.

Jo pa siklet shpjegoi se kartoni do ta kishte ndihmuar për të udhëtuar me autobus në kushtet e një ekonomie familjare aspak të favorshme. Por kjo e kartonit të invalidit s’ishte një çështje që mund ta zgjidhte Bashkia a Njësia Bashkiake dhe ai vetë e dinte mirë këtë. U ndamë miqësisht atë ditë me profesorin dhe s’e harroj çfarë shijeje të mrekullueshme më la mesazhi i Linditës pak javë më pas: Sapo i lashë profesorit kartonin e invalidit në shtëpi. U gëzua shumë dhe ju bën shumë të fala. Lindita e kishte ndjekur vetë rrugën torturuese të burokracisë, duke trokitur derë më derë e mbajtur rradhat përkatëse, për të nxjerrë kartonin që atij burri i takonte me të drejtë e me ligj, por zyrat e ministrisë i’a refuzonin me arsyet e mosarsyes qeveritare. Të cilat janë shkaku pse mijëra e mijëra shqiptarë në ditë torturohen dyerve të shtetit pa mundur të marrin atë që u jep ligji.

Ky nuk është një rast i veçantë. Është vetëm një ndër rastet e panumërta që mund të dëgjosh në këtë njësi nga goja e vetë banorëve. Trokasin tek Lindita për faturën e ujit. Lindita shkon me ta në Drejtorinë e Ujësjellësit. Trokasin tek Lindita për faturën e dritave. Lindita shkon me ta në Drejtorinë e Shpërndarjes. Trokasin tek Lindita për konfliktin e pronësisë. Lindita shkon me ta në zyrën e avokatit.

Askush që troket tek Lindita nuk merr thjesht përgjigjen ligjore, “Kjo që kërkoni nuk i takon njësisë bashkiake apo bashkisë, po qeverisë!”. Çdokush gjen një krah për ta kërkuar të drejtën e vet në derën ku mund ta gjejë. Pa folur për rastet kur cështja lidhet me Bashkinë e Tiranës. E dinë të gjithë në bashkinë tonë: Çështjet që sjell Lindita Nikolla për banorët e njëshit nuk ka shans të mos zgjidhen në rast se bashkia ka sadopak në dorë.

Kam njohur vajzën e Linditës, Livian, nxënëse dhe studente e shkëlqyer, me një edukatë e dituri që i spikat në çdo fjali. E kam parë mes shoqesh e shokësh që merrnin pjesë, vullnetarisht, në një projekt social të organizuar prej së ëmës dhe jam mbresuar nga dashuria e nga energjia që Lindita di të përcjellë tek brezi i vajzës së vet.

Kam takuar kolege e kolegë të Linditës, kam folur me punonjëset e punonjësit e njësisë bashkiake numër 1, kam dëgjuar njerëzit e Bashkisë së Tiranës që i lidh puna me kryetaren e kësaj njësie. Si rrallë kund, fjalët, përshtypjet, opinionet, përputhen në shprehjen e një respekti e të një simpatie të madhe për këtë grua që banorët e Ali Demit e të Shkozës kanë nderin ta kenë në shërbimin e tyre si kryetare të njësisë bashkiake. Si të vetmen rrugë për të mos mbetur asnjëherë në mes të rrugës. Si një shpresë të realizuar dhe një premtim të mbajtur çdo ditë me dinjitet e dashuri. Drama e rinisë së të vëllait të burgosur në vitet e pamëshirshme të diktaturës, nuk ka nxitur urrejtjen e mbylljen tek Lindita, po dashurinë e hapjen ndaj të tjerëve. Asnjë ndjenjë revanshi, kurrë, asnjë lidhje me paragjykime që e shkuara na e nxjerr çdo ditë përpara në këtë vend përmes njerëzish e sjelljes politike të egra, primitive, përjashtuese. Dhe kështu, përditë, ka zënë këtu vend për mrekulli vizioni ynë që njësia vendore s’duhet të jetë e majtë apo e djathtë, po duhet të jetë e banorëve të majtë e të djathtë pa dallim, qytetarë të barabartë e të njësoj respektuar në të drejtat e tyre.

Si Tirana që duam. Si Tirana që ndërtojmë tash dhjetë vjet pa i ndarë qytetarët në të majtë e të djathtë, në të tanët e të tyret, në këtej e andej hendekut të një politike të potershme dasish me të cilën ne duam të ndahemi, një orë e më parë, siç jemi ndarë në qeverisjen e Tiranës tash dhjetë vjet. Të Tiranës që na e lanë rrëmujë e baltë dhe ne e ribëmë qytet. Na e lanë pa frymë, asnjë metër katror gjelbërim e pemë të prera me sëpatën e babëzisë, dhe ne e rikthyem në jetë duke rikthyer gjelbërimin e mbjellë dhjetëra mijëra pemë të reja.

Na e lanë pa rrugë, pa ndriçim, pa të ardhme, me furgonë të pistë që lëviznin në radhë si kuti sardelesh mes kaosit e plehrave për të transportuar qytetarët, dhe ne e pastruam, ndriçuam, shtruam me një milionë metër katror asfalt duke e kthyer në një model të suksesshëm zhvillimi ku për pak muaj do të lëvizin vetëm autobusë urbanë të standardeve të BE-së e ku, njësi më njësi, ka hapësira të reja publike si kjo hapësirë europiane ku jemi mbledhur sot. Na e lanë Tiranën si mos o zot më keq, me një këshill bashkiak që mblidhej nëpër restorante, dhe sot kanë nxjerrë një kukull të Saliut për të kërkuar një votë të cilën Tirana s’do t’ua japë kurrë atyre që i bllokuan dhunshëm Këshillin Bashkiak sepse duan ta marrin peng siç kanë marrë Shqipërinë.

Ta harrojnë Tiranën, ajo do të rinisë të vrapojë drejt së ardhmes me të gjithë forcën e ambicies së qytetarëve të saj pa dallim, sapo të ketë Këshillin Bashkiak ku Saliu s’do të ketë më fuqinë bllokuese që i dha Iliri duke u bashkuar me të për bllokun e punëve të zeza.

Dhe në vend se të bëjnë premtime mashtruese, me idera të kopjuara keq nga programi ynë i zhvillimit, duhet t’i japin llogari qytetarëve të Tiranës për keqqeverisjen e tyre. Për faturat e papërballueshme. Për çmimet e papërmbajtshme. Për taksën e pamëshirshme të inflacionit që u’a merr si era qytetarëve lekët nga xhepi sapo Saliu u thotë se u rriti rrogën a pensionin. Duhet t’i japin llogari Tiranës për vrasjet, grabitjet, gënjeshtrat e patjetër edhe për baltën e pafundme të urrejtjes e shpifjeve që kanë hedhur mbi punën tonë të palodhur.

Lindita është Tirana që duam. Lindita është alternativa jonë ndaj politikës së vjetër të dasive e fjalëve që helmojnë. Ndaj politikës së vjetër të gënjeshtrave e premtimeve mashtruese. Ndaj politikës së vjetër të pushtetit që flet për të tjerët dhe mendon e punon vetëm për vete.

Lindita është një arsye e patundshme për t’i thënë kurrë më Saliut në 8 maj. Kurrë më vrasje e tortura qytetarësh që demonstrojnë kundër qeverisë. Kurrë më grabitje pasurish të popullit e pronash të qytetarëve me ligje antikushtetuese e vendime qeverie të paligjshme. Kurrë më një pushtet që mbron kryeministrin e ministrat nga drejtësia dhe një drejtësi që s’i jep qytetarit të drejtën që i njeh ligji. Kurrë më mungesë konkurrence në treg dhe monopole që zhvillohen nën sqetullën e kryeministrit për përfitime të paligjshme. Kurrë më trysni mbi median e kapje të saj përmes pushtetit të dhunës e të parave të pista. Kurrë më flakje nga puna të qytetarëve për arsye politike dhe kurrë më presion psikologjik mbi nëpunësit e shtetit, mbi mësuesit, mjekët, policët, për të kushtëzuar mendimin e tyre, lirinë e tyre si njerëz, të drejtën e tyre si zgjedhës.

Asnjë qytetar i këtij qyteti, pavarësisht bindjeve e mendimeve të tij, s’duhet t’i trembet këtij presioni banditesk. Është presioni i të humburve, presioni i atyre që kanë humbur prej kohësh të drejtën për ta qeverisur këtë vend e që me këtë qytet kanë veç llogari për të dhënë jo pëlqim për të marrë, presioni i Saliut që po bie dhe kërkon më kot të ulet në prehrin e Tiranës bashkë me kukullën e tij duke ndjekur rrugët pa krye të frikësimit të njerëzve e të blerjes së votave me lekët e vjedhura nga njerëzit.

Askush të mos trembet. Asnjë nëpunës, asnjë mësues, asnjë mjek, asnjë polic, asnjë banor i këtij qyteti nuk do të humbasë, po vetëm do të fitojë nga humbja e këtij pushteti të vjedhur për të vjedhur Shqipërinë.

E kemi treguar me vepra jo me fjalë: Për ne qytetarët nuk janë blu ose rozë, po njësoj të barabartë në të drejtën për t’u respektuar e shërbyer prej nesh, nën flamurin kuqezi të Republikës sonë dhe në respekt të kushtetutës e ligjeve të saj. Këtë tregon edhe shembulli plot shkëlqim i Lindita Nikollës.

U them të gjithëve: E vetmja rrugë për të qenë të lirë të mendoni dhe shprehni atë që mendoni, pa pasur frikë se ju heqin nga puna ose ju vijnë në punën tuaj private për t’ju rënë në qafë, është rruga jonë. Rruga e Lindita Nikollës. Rruga e Partisë Socialiste. Rruga e Aleancës për të Ardhmen.

Ne kemi qenë e jemi fitues në Tiranë. Sepse puna jonë është fituese. Projekti ynë për të ardhmen është fitues. Morali ynë është fitues.

Tirana nuk ka kohë dhe as betejë për të humbur me këtë pushtet të marrë fund. E vetmja rrugë për Tiranën është rruga që ne kemi hapur dhe do të çojmë përpara me punë të madhe e përkushtim shembullor ndaj qytetarëve, duke vulosur me votën e tyre në 8 maj fitoren e vizionit të së ardhmes mbi barbarinë e të shkuarës që vret, vjedh, rren. Po në Tiranë vend dot nuk gjen.

Mbështesni pa dallim e rezervë Linditën siç ajo ju ka mbështetur katër vjet me radhë. Lindita është Tirana që duam.

*Fjala e kryetarit të PS-së Edi Rama në çeljen e fushatës në njësinë bashkiake numër 1 në Tiranë

KOMENTE