English

4 prilli, Presidenti: FA-të aleatë të NATO-s për paqen në botë

Tiranë, 4 prill 2011, NOA – Presidenti i Republikës Bamir Topi ka përkujtuar sot 62-vjetorin e themelimit të NATO-s dhe dyvjetorin e pranimit të Shqipërisë si anëtare e NATO-s, me forcat speciale të batalionit të Zall Herrit. Presidenti Topi shprehu krenarinë se Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe që kontribuon për paqen dhe sigurinë në botë.

Kryetari i Shtetit theksoi në fjalën e tij se “me forcën tuaj, me intelektin tuaj dhe profesionalizmin tuaj, keni dëshmuar që jeni jo vetëm aleatë të kësaj Aleance të madhe, por jeni në standardet e bashkëudhëtuesve tuaj në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, në luftën për vendosjen e paqes në rajone të ndryshme të globit”.

Komandanti i FA-ve vlerësoi me krenari historinë e shkurtër, por heroike të Forcave të Armatosura Shqiptare, që kanë kontribuuar në Bosnje, në Irak, dhe tashmë me misione luftarake edhe në Afganistan.

Ashtu si edhe kryeministri Berisha, presidenti tha sakaq se “Statusi aktual i Shqipërisë në NATO është pasojë e reformave të thella politike dhe ushtarake. Është pasojë e një kontributi real të të gjithëve për të ndërtuar ligje, për të ndërtuar rregullore, për t’u përgatitur, sikurse unë e pashë edhe sot, që ju jeni rritur dhe rriteni nga viti në vit”.

Presidenti Topi i uroi FA-të për 4 prillin, ditë që sipas tij është memorizuar dhe është shkruar me shkronja të arta në historinë moderne të popullit shqiptar.

Presidenti i Republikës, njëherësh Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bamir Topi, me rastin dyvjetorit të pranimit të Shqipërisë në NATO vizitoi Batalionin e Forcës Speciale Tokësore në Zall Herr, ku inspektoi dhe u njoh nga afër me veprimtaritë e strukturave të këtij batalioni.

Presidenti u njoh me përgatitjet dhe stërvitjet e kësaj force për misionet brenda e jashtë vendit, si një njësi me aftësi të lartë operacionesh speciale, me një efektiv prej mbi 300 personash dhe me aftësi patrullimi në zonat bregdetare, operacione detare antiterror, shpëtim pengjesh, etj.

Në vijim, Kreu i Shtetit, ndoqi demostrime stërvitore të qitjeve me armë të këmbësorisë me armatime të reja të standardeve të NATO-s, të çlirimit të pengjeve nga anija me pajisje të sofistikuara, të përgatitjes alpine si dhe të veprimeve të grupit “Komando” gjatë kryerjes se operacioneve speciale në qendra të banuara në luftë kundër terroristëve.

Në këtë veprimtari ishin të pranishëm Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Suzana Panariti, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Brigade, Maksim Malaj, Komandanti i Forcës Speciale Tokësore, Gjeneral Brigade Viktor Berdaj, Komandanti i Batalionit Special, nënkolonel Dritan Demiraj, drejtues të tjerë të këtij Batalioni, ushtarakë të lartë, anëtarë të Kabinetit të Presidentit, etj.

Në përfundim të ceremonisë u mbajt një minutë heshtje në nderim dhe respekt të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Baba Haxhi Dede Reshat Bardhi, i cili u nda nga jeta të shtunën.

mit/NOA

KOMENTE