Tiranë, 4 prill, NOA - Kandidati për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, ka dëgjuar gjatë bashkëbisedimit me banorët e njësisë numër 9, shqetësimet kryesore të tyre që janë mungesa e parkimeve, shkollave, kopshteve, rrugët e amortizuara dhe abuzimet me pronat.
Por gjatë takimit me të, banorët janë shprehur gjithashtu se problemet që shqetësojnë ata edhe në këtë njësi janë strehimi e punësimi.
“Nuk ecën kurrë dot këtu, ka mungesa parkimi”, tha një banor ndërsa një tjetër u shpreh se kishte mbyllur biznesin për pamundësi për të vijuar.
“Ne do t’i përvishemi punës që ti ta rihapësh përsëri dhe të marrësh prapë njerëz në punë. Do ulim taksat dhe do të japim të gjitha mundësitë”, iu përgjigj atij Basha.
Nga ana tjetër, banorët e kësaj lagje folën për mungesat e mëdha të shërbimeve në jetën e tyre.
“Kemi rrugën “5 Maji” që s’ka shkollë, kemi rrugën “Besa” që s’ka shkollë, kemi rrugën “Jordan Misja” që nuk ka shkollë”, tha një prej mësueseve të zonës.
Nga ana tjetër, banorët autoktonë kërkuan zhvillimin lagjeve dhe garanci për pronat e tyre.
“Të siguroj që grabitjes së pronave do t’i japim fund njëherë e mirë”, u tha Basha, i cili bashkëbisedoi me ta për një formë të menaxhimit të pronës private dhe rifitimit të hapësirave publike.
n.e/NOA