English

Basha: Rikthehemi te ky gjigand i durimit e mençurisë

Tiranë, 4 prill 2011, NOA – Edhe kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës Lulzim Basha ngushëlloi sot familjarët dhe besimtarët bektashinj, për humbjen e udhëheqësit të tyre të dashur, Baba Dede Reshat Bardhi.

Në mesazhin e tij kandidati Basha tha se “Sot, qindra e mijëra njerëz, rikthehen te ky njeri, te ky gjigand i durimit, i mençurisë, i forcës dhe i shërbimit për t’i shprehur mirënjohjen, për veprën e tij të pavdekshme, në shërbim të njerëzve, në shërbim të bektashizmit, në shërbim të kombit, dhe në shërbim të zotit. Zotit të madh të cilit sot i lutemi t’i japë paqen e amshuar, dhe ta marrë pranë vetes së tij ashtu sikundër i shërbeu gjithë jetës”, u shpreh Basha.

Ai e vlerësoi Baba Reshat Bardhin si një njeri që foli me vepra, dhe vepra e tij sikundër tha Basha mbetet e pavdekshme.

“Është detyra jonë, jo vetëm e besimtarëve bektashinj, por e çdo shqiptari ta çojnë përpara, të përfundojnë amanetin e tij, për hir të njerëzve të thjeshtë, për besimin tek Zoti dhe për përparimin e shoqërisë sonë”, tha kandidati Basha.

Lulzim Basha ka një lidhje të veçantë me Baba Dede reshat Bardhin, pasi ai është rritur në të njëjtën lagje, ku banonte Baba Dede Reshat Bardhi, të cilin Basha e kujton për veprën e tij dhe për anën e tij njerëzore.

Për të respektuar ditën e zisë kombëtare kandidati demokrat për bashkinë e Tiranës ka anulluar edhe takimet e tij elektorale në Tiranë.

mit/NOA

KOMENTE