English

Bashkia e Tiranës: Policia nuk kreu detyrën për mbrojtjen e inspektorëve

Tiranë, 4 prill 2011, NOA – Për plagosjen e kryeinspektorit të Policisë Ndërtimore të Bashkisë së Tiranës Ardit Kaja ka reaguar edhe nënkryetarja e Bashkisë Albana Dhimitri, e cila i kërkoi Policisë së Shtetit të zbardhë sa më parë ngjarjen e të vërë para drejtësisë autorët.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës bëri me dije se kryeinspektori Kaja u qëllua pasi ndaloi dje varjen e flamujve të LSI-së nëpër shtylla pranë njësisë bashkiake nr.5 pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë.

Dhimitri akuzoi gjithashtu policinë e shtetit se një ditë më parë nuk kreu detyrën që i parashikon ligji për të mbrojtur inspektorët e ndërtimores të kryejnë detyrën.

Ndërkohë më herët edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama deklaroi se kryeinspektori Kaja u përball me dhunën dhe u plagos teksa kryente detyrën.

“Është qëlluar në mes të Tiranës një shërbëtor i shtetit, i cili në zbatim të ligjit është përballur me dhunën e asaj force politike, e cila me paratë e vjedhura ka dhunuar Tiranën”, tha Rama.

mit/NOA

KOMENTE