English

Berisha: Baba Reshati ia doli të rindërtojë bektashizmin shqiptar

Tiranë, 4 prill 2011, NOA - Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot homazhe në nderim të udhëheqësit shpirtëror të bektashizmit shqiptar dhe botëror, Baba Reshat Bardhit, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë. Kryeministri Berisha u shprehu ngushëllimet e tij më të sinqerta familjes dhe të gjithë udhëheqjes së bektashinjve shqiptarë, si dhe gjithë besimtarëve.

Ai vlerësoi lart virtytet dhe përkushtimin e Kryegjyshit Baba Reshat Bardhi në rindërtimin e bektashizmit shqiptar dhe në shndërrimin e këtij besimi në simbol të fuqishëm harmonie, mirëkuptimi e shprese.

“Sot është një Ditë Zie, dhimbjeje e thellë për ndarjen nga jeta të udhëheqësit shpirtëror të bektashizmit shqiptar dhe botëror, Baba Dede Reshat Bardhit. Baba Reshati, Kryegjyshi i Bektashizmit shqiptar e botëror, me përkushtimin e tij të madh, virtytet e tij, ia doli të rindërtojë bektashizmin shqiptar, i cili ka qenë për shqiptarët edhe besim edhe atdhetari”.

Kryeministri në prononcimin e tij për mediat tha se “Baba Dede Reshat Bardhi ia doli ta shndërrojë atë në një simbol të fuqishëm të harmonisë, të mirëkuptimit, të tolerancës, të besimit, të shpresës”.

Shefi i qeverisë tha se bektashinjtë shqiptarë humbasin sot një udhëheqës, një burrë i cili, me aftësitë e tij, riktheu në këtë vend bektashizmin.

“Uroj që Shpirti i Baba Reshatit, të gjejë dritën dhe paqen e merituar”, u shpreh kryeministri Berisha pas homazheve në Pallatin e Kongreseve.

mit/NOA

KOMENTE