Shkodër, 4 prill, NOA – Gjatë vitit 2010, kultivimi i bimëve narkotike u ul me nivelin prej 80%, në krahasim me vitin 2009.
Ndërsa fuqia goditëse ndaj këtij fenomeni, u rrit me 60 raste dhe 79 persona të proceduar penalisht, duke treguar më së miri vendosmërinë dhe vullnetin për tolerancë zero ndaj këtij fenomeni.
Këto fakte dhe shifra janë raportuar sot nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, gjatë një konference të posaçme në Shkodër mbajtur për luftën anti-kultivim të bimëve narkotike.
Sipas tij, këtij realiteti i përgjigjet edhe qarku i Shkodrës, ku për vitin 2010, si e gjithë Shqipëria, ka bërë një punë të jashtëzakonshme në drejtim të goditjes së këtij fenomeni me gjitha kushtet e vështira për vetë specifikën e terrenit ku është kultivuar.
“Kultivuesit shpenzojnë para për mbjellje, shërbime, dhe në fund i gjithë mundi i tyre shkon dëm pasi goditet nga policia, e përveç dëmit material duhet të përballet edhe me drejtësinë, ku dënimet shkojnë nga 3-7 vjet”, tha ai.
Duke përfunduar se kultivimi i bimëve narkotike rrit kriminalitetin, shton numrin e përdoruesve të lëndëve narkotike sidomos te moshat e reja, duke i stimuluar drejt rrugës së krimit.
“E pra, këta janë fëmijët tanë, këta janë e ardhmja jonë. E kuptoni sa pak kohë na duhet të shkatërrojmë të ardhmen e fëmijëve tanë, aq sa milionat dhe miliardat nuk e shërojnë dot këtë plagë. Ndaj kjo është një thirrje e madhe për fëmijët tanë, ndaj duhet të gjithë të bashkohemi në lufte ndaj kësaj të keqeje”, përfundoi Burgaj.
n.e/NOA