English

Kryeministri: Performanca ekonomike garanton rritjen e rrogave dhe projektet e mëdha

Tiranë, 4 prill 2011, NOA – Pas një minute heshtje kushtuar nderimit të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve Haxhi Dede Reshat Bardhit, kryeministri Sali Berisha ia kushtoi mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar të demokratëve rritjes ekonomike të Shqipërisë. Kryeministri Berisha duke iu referuar vendimit të qeverisë për heqjen e taksës doganore për bizneset fasone theksoi se tremujori i parë i këtij viti shënoi të ardhura më të larta në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Shefi i ekzekutivit e cilësoi vendimin e qeverisë si një vendim të drejtë që do të çojë në rritjen e bizneseve dhe prodhimeve “Made in Albania”, rritjen e punësimit.

Ai e cilësoi këtë vendim edhe si një ftesë për investitorët e mbarë botës për të ardhur dhe investuar në Shqipëri në bizneset e fasonerisë.

Kryeministri Berisha deklaroi se qeveria duke respektuar të gjithë treguesit makroekonomikë do t’i përgjigjet pikë për pikë rritjes së pagave dhe pensioneve dhe rritjes së rrogave për punonjësit e administratës.

Sipas kryeministrit ky është një lajm shumë i mirë për 800 mijë familje shqiptare.

“Performanca ekonomike nuk garanton vetëm rritjen e rrogave dhe pensioneve, por garanton realizimin e të gjitha projekteve të mëdha infrastrukturore për këtë vit”, tha kryeministri.

Shefi i qeverisë e mbylli me kaq mbledhjen e grupit kuvendor të Partisë Demokratike, për shkak se do të shkonte në ceremoninë e varrimit të Haxhi Dede Reshat Bardhit, për vdekjen e të cilit, qeveria e shpalli 4 prillin ditë zie kombëtare.

mit/NOA

KOMENTE