Tiranë, 4 prill, NOA –Komiteti Shqiptar i Helsinkit i ka ndjekur me shqetësim ngjarjet e fundit të ndodhura lidhur me zgjedhjet lokale të 8 Majit dhe përmes një deklarate për shtyp, ka bërë thirrje që të merren masa për parandalimin e konflikteve gjatë saj.
“Para disa ditëve, kandidati për komunën e Balldremit në Lezhë, Zef Doçi u plagos me armë zjarri. Pavarsisht se Komiteti Shqiptar i Helsinkit nuk ka të drejtë të paragjykojë motivet e vërteta të kësaj ngjarje, mund të themi me siguri se akte të tilla ndikojnë negativisht në atmosferën e zgjedhjeve”, citon deklarata.
Duke shtuar edhe incidentet e ndodhura në lidhje me posterat dhe flamujt e vendosur nga LSI në mjedise publike, gjë që ka krijuar konflikt midis drejtuesve dhe aktivistëve të kësaj partie dhe policisë Bashkiake të Tiranës.
“Komiteti Shqiptar i Helsinkit është i mendimit se ky incident mund të parandalohej nëse do të zbatohej me rigorozitet neni 79 i Kodit Zgjedhor që detyron subjektet zgjedhore të vendosin materialet propagandistike të tyre vetëm në vendet e përcaktuara nga pushteti vendor”, sqaron deklarata.
Duke pohuar se nga ana e tyre, këto organe duhet të marrin të gjitha masat që mjediset përkatëse për vendosjen e materialeve propagandistike zgjedhore të jenë përcaktuar përpara datës 8 prill 2011, që është edhe data ligjore e fillimit të fushatës.
Të gjitha subjektet zgjedhore duhet të mbajnë gjithashtu parasysh se dispozita e mësipërme, sanksionon gjithashtu se “çdo afishim i këtyre materialeve jashtë vendeve publike të autorizuara sjell heqjen e tyre nga organet e zbatimit të ligjit”.
“KSHH shpreh shqetësimin e tij të thellë se fushata zgjedhore ka filluar me incidente, përplasje dhe veprime kriminale, gjë që ndikon në tensionimin e situatës zgjedhore, në një kohë kur zgjedhësit e thjeshtë, dëshirojnë që në 8 Maj të këtij viti të ushtrojnë lirisht të drejtën e tyre themelore për të zgjedhur. Është kjo arsyeja që KShH i bën thirrje, së pari organeve të ndjekjes penale, të hetojnë me shpejtësi dhe të vënë para përgjegjësisë personat përgjegjës për veprat e sipërcituara. U bëjmë thirrje organeve të rendit që të marrin të gjitha masat për parandalimin e veprave kriminale dhe zbatimin rigoroz të ligjit”, përfundon deklarata e KSSH-së.
n.e/NOA