Tiranë, 4 prill, NOA - Deputetja socialiste për Tiranën, Ledi Shamku, ka dorëzuar sot në prokurori një kallëzim penal për kryetarin e njësisë bashkiake nr.10 dhe shefen e gjendjes civile në këtë njësi.
Kallëzimi penal sipas deputetes Shamku, është bërë për manipulimin me dashje të listave të votuesve nga ana e tyre.
“Sapo dorëzova kallëzimin penal për kryetarin e njësisë bashkiake nr. 10 në Tiranë, Blend Fuga dhe për shefen e zyrës të gjendjes civile, Marinela Muça. Depozitova kallëzim penal për manipulimin me dashje të listave zgjedhore të lëshuara nga kjo njësi, të firmosura përkatësisht nga kryetari i minibashkisë dhe nga shefja e zyrës së gjendjes civile. Ka një mesazh të qartë për Saliun dhe Lulin e tij. Ta harrojnë votën e kryeqytetasve”, tha Shamku pasi doli nga prokuroria.
Duke shtuar se “vota e kryeqytetasve do të shkojë në atë drejtim që u thotë ‘Kurrë më’ vrasjeve, ‘Kurrë më’ një pushteti që vret, ‘Kurrë më’ një pushteti që vjedh dhe një pushteti që tallet dhe nëpërkëmb jetën e qytetarëve”.
n.e/NOA