English

Meta: Në 9 maj faqe e re për Kuçovën

Kuçovë, 4 prill 2011, NOA - Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta bashkë me deputetët e qarkut të Beratit, Nasip Naço, Genc Pollo e Lefter Maliqi kanë vijuar turin elektoral për zgjedhjet e 8 majit duke u ndalur në qytetin e Kuçovës dhe Urës-Vajgurore. Kreu i LSI-së prezantoi kandidatin e “Aleancës për qytetarin” për Bashkinë e Kuçovës, Selfo Kapllani dhe atë për Bashkinë e Urës-Vajgurore, Thoma Rumniçi.

Meta duke mbështetur kandidaturën e Kapllanit tha se me këtë kandidat në 9 Maj do të nisë një faqe e re për Kuçovën dhe për të gjithë popullin e saj.

Kreu i LSI-së theksoi se qeveria në bashkëpunim me pushtetin vendor, me sipërmarrjet, me bankat do të nxisin aktivitete të rëndësishme, të domosdoshme për rritjen e punësimit.

“Ky koalicion në vitin e parë me një punë të jashtëzakonshme arriti të heqë vizat për të gjithë kuçovarët dhe të gjithë shqiptarët. Edhe pse ju e dini shumë mirë që sa shumë pengesa iu vunë nga lidershipi i Partisë Socialiste këtij procesi madhor nga i cili nuk përfituan vetëm ata të cilët përkrahin këtë koalicion, por përfituan të gjithë shqiptarët pa asnjë dallim politik. Jam i bindur se nga Çeku si Kryetar i ri i Bashkisë do të përfitojë i gjithë komuniteti i Kuçovës, do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kuçovës”, tha Meta.

Kryetari i LSI-së tha se me votën e 8 Majit qytetarët e Kuçovës do të votojnë për t’u bashkuar për qytetin e tyre dhe për zhvillimin e tij.

“Votoni për Selfo Kapllanin, votoni për një ndryshim të madh të rëndësishme për të gjithë popullin e mrekullueshëm të Kuçovës”, përfundoi fjalën e tij zoti Meta.

mit/NOA

KOMENTE