Tiranë, 4 prill, NOA - “Unë e shoqërova Baba Reshat Bardhin si deputet i Skraparit në atë kohë në këtë përpjekje të parë që ai bëri për të rilindur një traditë që ishte ndërprerë në mënyrë të dhunshme nga regjimi i mëparshëm”.
Me këto fjalë ka nisur mesazhi i ngushëllimit të kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, pas homazheve të kryera sot për Baba Reshat Bardhin.
Sipas tij, vepra që ai ka lënë pas, do të jetojë dhe kjo e bën atë të pavdekshëm jo vetëm për besimtarët bektashinj, por për të gjithë shqiptarët.
“Dhe ajo që është më e rëndësishme, është ajo që Baba Reshat Bardhi, dha një kontribut të jashtëzakonshëm për harmoninë ndërfetare në Shqipëri, e cila është një ndër pasuritë më të mëdha që ka populli dhe kombi ynë dhe kjo është një tjetër arsye për të qenë mirënjohës gjithmonë këtij njeriu me veti vërtet hyjnore”, përfundoi Meta mesazhin e tij.
n.e/NOA