English

Negociatat

Nga Glauk Konjufca*

Njëri prej vargjeve të Hymnit të Flamurit thotë kështu: “Të drejtat tona ne s’i ndajmë”. Negociatat si koncept qëndrojnë saktësisht përkundër të drejtave. Negociatat të drejtat si domosdoshmëri i degradojnë në mundësi, për të mos thënë në opcion, për të mos thënë në gjasë, për të mos thënë në pamundësi. Kompromisi si logjikë e negociatavë atë që të takon plotësisht e kthen në atë që eventualisht mund ta marrësh të përgjysmuar. Negociatat janë universi i asaj që mund ta nxjerrësh, koketimi i ofertës me kërkesën, pazari i pozicioneve. Negociatat si doktrinë absolute e zgjidhjes së të gjitha problemeve të kësaj bote të ndërlikuar, është shpirti i doktrinës sipas të cilës zgjidhja ideale është tregu i lirë. E kjo do të thotë aty ku gjithçka shitet e blehet, aty ku tregtohet edhe liria, edhe kombi, edhe të drejtat, edhe morali. Termi negociatë, edhe pse ndoshta etimologjikisht lidhet me negacionin, pra me mohimin, kuptimi i vërtetë latin si negotius do të thotë “të kryesh punë”.

Negociatat janë ideologjia e relativizmit postmodern, fusha e paqëndrueshmërisë totale të të gjitha vlerave, detabuizimi i gjithçkaje, duke i konsideruar si tabu edhe lirinë e pavarësinë, kombin, historinë e shoqërinë, perspektivizim dhe pragmatizmi absolut: e vërteta është e negociueshme, ajo që është e suksesshme.

Negociatat përnjëmend janë e kundërta e vetëvendosjes. Vetëvendosja niset nga liria si domosdoshmëri, kurse negociatat nga raporti i forcave si postulat. Asnjëherë liria nuk është arritur për shkak të raportit të forcave, sepse për nga definimi i pushtuari është më i dobët. Përndryshe, ai nuk do të ishte pushtuar fare. Liria arrihet atëherë kur subjekti çlirimtar e vendos lirinë përpara raportit të forcave. Kjo është forca më e madhe e cila e rikonfiguron si me magji vetë raportin e forcave.

Vetëvendosja është krejt e kaluara e mpiksur në një pikë – në aktualitetin tash dhe këtu, menjëherë, pa kusht. Kurse negociatat janë e tashmja e vazhdueshme, që e suspendon të shkuarën. Thelbi i filozofisë së parë është ideali. I së dytës ekzistenca.

Teza 1: Kosova asnjëherë nuk ka qenë palë e negociatave

Kosova nuk ka qenë negociatore por e negociuar. Sepse mendoj që Kosova në çdo kohë dhe rast ka qenë objekt i negociatave mes palëve. Le ta marrim Rambujenë. Serbinë në negociata e dërgoi ultimatumi i Grupit të Kontaktit bashkë me kërcënimin ushtarak të NATO-s. Korniza negociatore në këtë process mund të definohet si përballje e pozicionit të Grupit të Kontaktit me atë të Serbisë. Grupi i Kontaktit mbante qëndrimet e veta të forta që ishin: a) NATO-ja në të gjithë ish Jugosllavinë; b) statusi I Kosovës autonomi nen Serbi; c) marrëveshja të garantohet nga prania politike dhe ushtarake ndërkombëtare; d) marrëveshja të jetë e përkohshme etj. Kurse Serbia mbronte çështjen e paprekshmërisë së sovranitetit, gatishmërinë për një autonomi të kufizuar për Kosovën etj. Qëndrimet e Kosovës ishin ato të Grupit të Kontaktit. Kosova nuk shkoi atje për ta mbrojtur pavarësinë. Pozicioni i Kosovës për statusin e vet në Rambuje u sqarua me pranimin e pikave të panegociueshme të Grupit të Kontaktit, prej të cilave më e rëndësishmja ishte ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial jugosllav. Serbinë nuk e bombardoi nënshkrimi i Kosovës, por mosnënshkrimi i Serbisë. Po ashtu, pika që e bombardoi Serbinë është aneksi ushtarak i NATO-s. I gjithë ky kontekst marrëdhëniesh tregojnë se ajo që ka negociuar është bashkësia ndërkombëtare me Serbinë, kurse Kosova ka qenë më shumë objekti i negociuar. Mendoj që pikërisht këtu qëndron argumenti më i rëndësishëm që i kundërvihet të gjithë atyre zërave që thonë se delegacioni i Kosovës e kishte të domosdoshëm nënshkrimin e Rambujesë, duke pretenduar se pot ë ndodhte e kundërta nuk do të vinin bombardimet e NATO-s.

Teza 2: Negociatat për Kosovën kanë qenë defaktorizim

Në çastin që Kosova e ka përvetësuar pozicionin fillestar të Grupit të Kontaktit, ajo është defaktorizuar. Ajo që doli si rezultat përfundimtar ishte një pako kompromisesh mes bashkësisë ndërkombëtare e Serbisë përgjatë 78 ditëve bombardimesh. Kosova prej çastit që e vuri nënshkrimin mbi Rambuje, e përjashtoi veten nga të qenit madje edhe pjesëmarrëse formale nga procesi ku vendosej për ne. Prej Rambujesë deri te R1244 ka një sërë kompromisesh, por të cilat politikanët e Kosovës i kanë shikuar vetëm në televizor. Pranimi i negociatave po ashtu e ka shkatërruar UÇK-në edhe politikisht edhe ushtarakisht. Politikisht, sepse e ka degraduar luftën çlirimtare në një konflikt civil etnik. Ushtarakisht, sepse e ka zhbërë UÇK-në si ushtri. Forca ushtarake është parakushti i subjektit çlirimtar. Populli i Kosovës ka qenë subjekt politik me UÇK-në në krye deri atëherë kur i refuzonte draftet e Christopher Hillit si zgjidhje që i maste forcat. Shkuarja në Rambuje i ka dhënë fund subjektivitetit, dhe kjo po na kushton edhe sot.

Përfundimi 3: Kompromisi i njëanshëm – vazhdimi i Rambujesë si defaktorizim

Kosova e pranoi Planin e Ahtisaarit. Serbia nuk e pranoi atë. Nëpërmjet refuzimit të Planit të Ahtisaarit Serbia po imponon zgjidhje dhe negociata që shkojnë përtej Ahtisaarit. Kurse në negociata të reja Kosova po shkon me pozicionin e Planit të Ahtisaarit. Logjika e thotë që në rastin më të keq të mundshëm, Plani i Ahtisaarit do të mund të kishte qenë plan B, kurse sovraniteti i plotë plani A. Me Planin e Ahtisaarit si pozicion maksimal, nuk ka rezultat më të garantuar sesa Plani 6 Pikësh. Te Fenomenologjia e Frymës së Hegelit, e vërteta e shqisësisë është të kuptuarit, kurse e vërteta e të kuptuarit është vetëvetëdija, e kështu me radhë deri te Fryma. E vërteta e Planit të Ahtisaarit është 6 Pikëshi si dhe e vërteta e 6 Pikëshit janë negociatate reja. Ashtu sikurse që e vërteta e vitit 1974 ka qenë viti 1989, si dhe e vërteta e vitit 1989 ka qenë 1999. E vërteta e Planit të Ahtisaarit është 6 Pikëshi. Hegeli do të thoshte që Plani 6 Pikësh është aktualizim i Planit të Ahtisarit, sikurse që pema është aktualizim i farës. Fara nuk ka të vërtetë në vetvete. Pema është fara për vete. E vërteta, thelbi, përmbushja e farës. Çka do të thotë kjo? Kjo do të thotë se Plani i Ahtisaarit formëson terrenin e mundësisë së rrëshqitjes në dy kahje të kundërta – ose kah Plani 6 Pikësh, kah ndarja e Kosovës, kah bosnjëzimi i Kosovës dhe defunksionalizimi tërësor si dhe kontroll të vazhdueshëm nga Serbia. Ose anulim i planit të Ahtisaarit, përmbushje e vetëvendosjes, sovranitet i plotë dhe e drejtë e bashkimit me Shqipërinë. Të dy këto kahje tashmë përfaqësohen denjësisht në politikën tone. I pari nga politika zyrtare e establishmentit kurse i dyti nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe forcat tjera shoqërore progresive. Ne e luftojmë Planin 6 Pikësh, pikërisht duke e luftuar Planin e Ahtisaarit, kurse establishmenti arrin te Plani 6 Pikësh pikërisht duke e mbrojtur Plaanin e Ahtisaarit.

Pikërisht këtu jemi te rambujeja si déjà vu. Sepse ashtu sikurse me Rambujenë, edhe me Ahtisaarin, në momentin që Kosova e ka pranuar atë, zgjidhja është zhvendosur si raport mes bashkësisë ndërkombëtare dhe Serbisë. Negociatat fillestare gjithmonë kanë qenë vetëm sa për ta konfirmuar përputhshmërinë e po të mes pozicionit të bashkësisë ndëkrombëtare dhe Kosovës. Faza e dytë e negociatave, aty ku Plani i Ahtisaarit e gjen të vërtetën e vet, është jo e përafrimit mes qëndrimit të Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare. Edhe gjatë kësaj faze Kosova ka qenë një spekatator i vërtetë. A nuk kaluan letrat e Ban Ki-moon-it në qershor 2008 vetëm si një informacion i thjeshtë për Kosovën se tash po fillojnë negociatat e OKB-së me Serbinë?

Në vend që të ishte e njëanshme shpallja e pavarësisë – pra akt që e mohon vetë nevojën e pajtueshmërisë nga ana e Serbisë, Kosovës i ndodhi kompromisi i njëanshëm.

Negociatat janë faktorizim i Serbisë

Serbia u bë palë. Serbia u bë parakusht i zgjidhjes. Vullneti i popullit të Kosovës u degradua nga vetëvendosja si imperative në peng të pajtueshmërisë së Serbisë.

*Deputet i Vetëvendosjes

KOMENTE