English

"Nëse nuk na vijnë armë, do të luftojmë me gurë" - Vizitë tek kryengritësit në Libinë lindore

Bengazi, 4 prill, NOA - Rruga drejt luftës është një vijë e drejtë. Nga Bengazi rruga vazhdon për kilometra me radhë në një peisazh shkretëtire krejt të rrafshët, pa asnjë pemë, asnjë fshat që mund të ofronte mbrojtje. Menjëherë pas qytetit sheh tanke të djegura: këtu avionët francezë Mirage ndaluan forcat e Gaddafit, pak orë më vonë ata do të kishin hyrë në Bengazi. Tani rebelët po përpiqen t'i shtyjnë ata më tutje. Adxhabijen e kanë marrë përsëri në kontroll dhe ruajnë hyrjen perëndimore në qytet. Burra me uniforma të sajuara me kallashnikovë mbi supe. Dy vullnetarë sapo kanë mbërritur: jo më të vjetër se në mes të të njëzetave.

"Ne duam të çlirojmë Libinë nga Muammar al Gaddafi. Armët do t'i gjejmë dhe nëse jo atëherë do të luftojmë me gurë, kryesorja ai të largohet, ai dhe minjtë e tij. Shpresojmë të fusim në duar armët që sjell qeni Gaddaf. Do të luftojmë deri sa të tjetë e mundur!"

Por nuk është më kaq e thjeshtë. Qëkurse ish-ministri i brendshëm dhe ushtaraku me përvojë Abdelfattah Yunis ka marrë komandën e përgjithshme, trupat po strukturohen. Do të krijohen njësi të vogla me deri shtatë luftëtarë, të cilat do të drejtohen nga ushtarakë të stërvitur. Disa kilometra në perëndim të Adxhabijës ndodhet një njësi e tillë, kamionçina e tyre ka një defekt motori. Drejtuesi është një burrë i thinjur, i fuqishëm në fund të të pesëdhjetave. Ai prezantohet si Favzi Ibrahim Sheihi, nga Adxhabija.

"Unë kam qenë ushtar profesionist dhe kam bërë një stërvitje dyvjeçare në Rusi. Ne kemi oficerë të cilët tregojnë si kryhet një sulm, si hyhet në një qytet dhe se si tërhiqesh përsëri. Ne zbrapsemi dhe sulmojmë përsëri. Kështu veprohet, thotë Abdel Fattah Yunis. Unë kam luftuar me të në Çad, kur u ktheva nga Rusia."

Një luftëtar i ri përkulet mbi motor. Ai ka një shall me ngjyrat e revolucionit përreth kokës dhe në qafë i varet një plumb: ky është për Gaddafin thotë ai. "Unë kam bërë një kurs prej 15 ditësh, por ne mësojmë shumë shpejt. Në fushën e betejës."

Që prej katër javësh nuk shkon ai në shtëpi. Shoku i tij nuk thotë asgjë, pëshpërit me zë të ulët se vjen nga Egjipti, bën pjesë në të njëjtin fis si banorët e Bengazit, kjo është arsyeja pse ka ardhur. Në pjesën e mbrapme të kamionçinës kanë montuar një armë antiajrore ruse, e viteve '80 thotë, komandanti. Veç kësaj kanë edhe një raketahedhës dhe granata dore. Municioni gjendet i hapur në pjesën e prapme të kamionçinës, ashtu si edhe granatat e dorës. "Zoti është me ne", thotë luftëtari me shall, "kjo duhet të jetë e mjaftueshme": 40 kilometra me tutje luftëtarët e pastërvitur dhe gazetarët nuk lejohen të shkojnë më tej. Atje fillon fronti, dhe tani e tutje vetëm profesionistët kanë të drejtë të kalojnë, shpjegon një nga ushtarakët.

"Kemi udhëzim të mos lejojmë revolucionarë të armatosur lehtë për në front. Aty janë vetëm ushtarakët. Pra, vetëm ata me armatime të rënda mund të kalojnë."

Edhe komunikacioni mes njësive duhet të përmirësohet. Por në portën perëndimore të Adxhabijas, asgjë nga këto nuk vihet re ende. "Ne i marrim informacionet nga makinat që kalojnë", thonë burrat që gjenden atje. Telefonë celularë nuk ka. Por ngadalë edhe këtu ndryshimi po vjen. Rojet riorganizohen, ata shpërndahen në të gjitha hyrjet e qytetit. Të dielën (3.4.) në mbrëmje trupat e riorganizuara njoftojnë suksesin e parë: kanë rimarrë qytetin Brega, të pasur me naftë.

Deutsche Welle

KOMENTE