Tiranë, 4 prill, NOA - Policia e Bashkisë së Tiranës i kërkoi sot Policisë së Tiranës të bashkëpunojnë për heqjen e afisheve të materialeve zgjedhore, të vendosura në mënyrë të kundërligjshme nga subjektet politike.
Duke iu referuar incidentit të ndodhur dje, pranë stadiumit “Selman Stermasi”, policia Bashkiake kërkon ndihmën e policisë së Tiranës, që ky akt të mos përsëritet më, si dhe të shmanget çdo incident.
Në letër, citohet konkretisht neni 79 i ligjit 10019, për kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë sipas të cilit “çdo afishim i materialeve propagandistike jashtë vendeve publike të autorizuara sjell heqjen e tyre nga organet e zbatimit të ligjit, në varësi të njësisë së qeverisjes vendore”. Duke iu referuar gjithnjë kodit Zgjedhor, Policia Bashkiake ka për detyrë “të kujdeset për ruajtjen e afisheve, njoftimeve e shpalljeve publike si dhe heqjen e atyre të paligjshme ose të paautorizuara”. Dje, në njësinë bashkiake nr.5, pranë stadiumit “Selman Stermasi” në Tiranë, Policia Bashkiake tentoi të hiqte flamujt e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila është pjesë e koalicionit “Alenca për Qytetarin”, veprim i cili është kundërshtuar nga simpatizantë të LSI-së.
Kryeinspektori i policisë ndërtimore të Bashkisë së Tiranës Ardit Kaja, e ka bërë publike dje lëvizjen e drejtorisë së tij për të hequr nga rruga të gjitha simbolet partiake që janë të kundraligjshme, por sot ai është plagosur me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar.
n.e/NOA