Provincializmi në drejtim dhe në mentalitet- një nga pengesat e pakapërcyeshme të Shtetit Shqiptar ndër vite
Nga Pirro Prifti
Në historinë 99 vjeçare të Shqipërisë nuk mund të mos habitesh nga mënyrat provinciale të të drejtuarit të shtetit shqiptar ndër vite. Mentaliteti provincial në drejtim është shprehur kryesisht tek drejtuesit e shtetit shqiptar të cilët gjithashtu ndër vite janë bazuar në drejtimin e këtij shteti të brishtë e të pa stabilizuar politikisht e për pasojë dhe ekonomikisht tek Provincializmi dhe provincialët. Mund të bëhet pyetja Përse? Ka disa arsye të forta që një shtet i ri relativisht i dalë nga një perandori gjithashtu e dekompozuar osmane e dërrmuar nga fuqitë perëndimore dhe Rusia, me një popullatë tërësisht fshatare, dhe për më tepër shumë të varfër e distancuar nga një kastë tmerrësisht e pasur shqiptarësh pro-turq, e më pas properëndimore por me dallimin se dashuria për perëndimin e kësaj kaste ishte hiporite- jo shpirtërore por thjesht çështje interesash private për të mbajtur pushtetin dhe për tu pasuruar.
Çdo të thotë provincializëm?
Në terminologjinë ndërkombëtare përdoret fjala `provincializëm`, e njëjtë me fjalën `parochialism`- e cila do të thotë provincial, që ka një horizont të ngushtë, sepse merr në konsideratë vetëm seksione të vogla të një çështjeje të caktuar. Kjo mund të jetë në kontrast me fjalën `universializmin`, sidomos kur përdoret në mënyrë përbuzëse.
Termi e ka origjinën nga fjala `parochia` në latinisht apo në anglisht `parish` -që janë ndarje ose sektorë brenda të kishës katolike dhe anglikane (pra larg qendrës).
Parochializmi në politikë njihet dhe në rastin e kontrollit të kurrikulave në Universitetin e Harvard-it me qëllim ndryshimi dhe përmirësimi në 7 shkurt 2007, ku u tha se qëllimet kryesore të këtij ndryshimi ishin kapërcimi i `parochializmit amerikan`, duke i u referuar rastit ndaj pikëpamjes kombëtare sesa asaj që shqetësonte në veçanti komunitetin e vogël.
Në termin pexhorativ (pra përbuzës) , politikat pompuese parokialiste përdoren për të përshkruar një aktivitet politik që ka të bëjë më tepër me adresimin ndaj nevojave të menjëhershme të elektoratit lokal sesa ka të bëjë me një strategji të vërtetë që mund të ndikojë në mirëqenie për një kohë afatgjatë.
Aktualiteti shqiptar ende është larg këtyre politikave reale që aktualizohen në vëndet perëndimore, Këtu në vendin tonë kemi të bëjmë me atë aspekt –injorance që ka përmëndur Noli në vjershat e tij për ministrat e Zogut p.sh,
Ti Halim që s’di kendim
je Minister per Arsim
Në fakt ende sot në Shqipëri ekzistojnë marrëdhëniet Sojli dhe Sojsëz, marrëdhënie të vjetra midis pronarit dhe bujkrobit, qoftë si mentalitet qoftë si individë realë. Trashëgimia 450 vjeçare e perandorisë turke që vazhdoi me kohën e Zogut, por që nuk u asgjësua në kohën e diktaturës porse fitoi dhe element makiavelike në këto marrëdhënie, ka bërë që dhe këto 20 vitet e demokracisë mentaliteti provincial dhe provincialët të preferohen nga politika dhe politikanët me qëllim drejtimin politik dhe ekonomiko&financiar e shoqëror të vendit për këto arsye:
Sepse këta njerëz kontrollohen lehtë për shkak të traditës peqe-lepe, Sojli-Sojsëz;
Sepse në këtë mënyrë drejtuesit shqiptarë të vendit e kanë më të lehtë të mbajnë postin dhe ofiqet, pa probleme sepse nuk ka kundërshtime ndaj urdhrave politikë të tyre për qëllime private;
Sepse në këtë mënyrë vriten `2 zogj me një gur`, nga njëra anë eliminohen rivalët potencialisht të barabartë për nga aftësitë drejtuese, por se edhe krijohen përshtypjet brenda dhe jashtë vendit se vendimet, urdhrat, konsultat bëhen me `bashkëpunim`, `kolegjialitet`, kur në të njëjtën kohë dihet fare mirë që nuk është kështu, sepse shihet në praktikë që drejtimi vendit nuk ecën mirë;
Sepse në këtë mënyrë drejtimi kasta politike edhe ajo e përzgjedhur nga dikush tjetër në një kohë të mëparshme, do të mund të eliminojë dhe kontrollojë konkurencën intelektuale dhe të modelojë sipas qejfit të saj hierarkinë sipas teknokracisë e meritokracisë. Rezultati është se në zgjedhje lokale dhe parlamentare, ato politike brenda partisë, në konkurrencën për vende pune të çdo lloji, nuk vendosen ata që e meritojnë por ata që mbështesin njëshin, idhullin.
Të tëra këto karakteristika të përmendura më sipër janë shfrytëzuar me shumë dinakëri nga drejtuesit anadollakë të Shqipërisë, përfshi dhe ata të PPSH. Problemi rezultoi i vështirë vetëm në vitet e fundit të diktaturës kur në pjesë e mirë ëe popullatës u arsimua dhe pushteti kishte nevojë për teknokratë me të vërtetë të mirë. Në vitet pas `90, u vu re një shkrirje graduale e funksioneve të teknokracisë dhe konkurrencës së ndershme megjithë propagandën për të kundërtën. Si rezultat gjithçka u vu dhe është në funksion të votës politike dhe të klanit drejtues përkatës. Në përfundim mund të shohim përsëri se rezultati është i njëjtë: Shqipëria është e pastabilizuar, e dobët ekonomikisht dhe financiarisht, pavarësisht nga përkrahësit e mëdhenj SHBA dhe BE. Përse? Sepse klasa politike shqiptare ashtu si dhe populli shqiptar i dyzuar në besim fetar dhe traditë vazhdon të bëjë lojën e Hipokritit: në media thërret me të madhe për integrim, globalizëm (dikur flitej për internacionalizëm), për futjen sa më shpejt në BE, por në fakt segmentet praktike e drejtuese të saj përpiqen të vonojnë sa më shumë integrimin për shkak se me integrimin en BE do të përfundojë dhe përfitimet e mëdha, mbajtja e pushtetit për një kohë të gjatë, pra do të marrë fund kontrolli mbi vëndin nga ana e tyre. Ky është shkaku.
Pra shqiptarët ashtu si në kohën e Zogut ashtu dhe në kohën e Enverit panë vetëm ylbere, tullumbace, drita shumë ngjyrëshe, sepse realiteti ishte, është dhe mbetet i trishtë: vetëm gjatë 20 viteve janë larguar 1.5 milionë shqiptarë nga vendi për arsye kryesisht ekonomike, dhe po të përpjestohet del se nuk kanë ikur më shumë shqiptarë nga vendi kur u pushtua përfundimisht nga turqit se sa në ditet e viteve të pas `90.
Për sa i përket mentalitetit provincial që në fakt është pengues vetëm kur këta individë vendosen në drejtimin e vendit, pra ka një efekt paradoks: `kur është pa gradaështë mik i mirë, po u grdaua të bën namin`(!)- mund të shpjegoj disa karakteristika si më poshtë.
E ashtuquajtura ‘Servilizëm Kulturor ’, ekziston kryesisht tek provincat ose siç quheshin dikur vendet koloniale apo ish koloni për një farë kohe deri sa këto shtete të arrijnë pjekurinë e tyre nga pikëpamja e arsimimit, kulturës bashkëkohore, dhe bashkëpunimit të ngushtë me shtetet më të përparuara,
Mentaliteti provincial dhe provincializmi është një pasojë e sistemit të kastave në këto vende, dhe në këtë rast Shqipëria ka qenë për një kohë të gjatë nën një perandori me sistem kaste (një tip i veçantë hierarkie që ekziston sot p.sh, në Indi, ku njëri komunitet i përulet dhe i serviloset kastës tjetër sunduese);
Një nga karakteristikat e provincializmit si mentalitet është servilizmi deri në grotesk ndaj shefit;
Karakteristike tjetër është natyra intrigante provincialit apo e individit që ka këtë mentalitet provincial – intrigë e cila karakterizohet në formën e tymnajave dhe thashethemnajave ndaj kundërshtarëve realë të cilat tjerrën me kujdes dhe thuhen kur kundërshtari nuk është i pranishëm apo kur është i pranishëm por, intriganti ka marrë miratimin e shefit për këtë sulm të studiuar,
Provinciali apo individi me mentalitet të tillë, është individ me inteligjencë të cilën e përdor për qëllime pexhorative, për qëllime përfitimi private tinëzare,
Provinciali apo individi me mentalitet të tillë është një adhurues i paimagjinueshëm i të huajës qoftë ajo kulturë, qoftë ekonomi, politikë, etj. Ai nuk bën dot kurrë një koment apo kritikë kundra sepse nuk ka aftësi të tilla.
Provinciali apo individi me mentalitet të tillë i ngjan pak a shumë ‘Din Paku-t’ ( shih librin ‘Din Paku dhe shokët e tij’), pra ka kompleksin e inferioritetit ndaj kundërshtarit dhe bën çmos që ta ketë armik nëse e ka të barabartë në gradë ose aq më keq ta ketë nën veten e tij në hierarki, përkundrazi nëse ky armik rastësisht është mbi të në hierarki, individi provincial apo me mentalitet provinciali bëhet servil, lajkatar, e njëkohësisht bën çmos që ti bëjë gropën pa një pa dy dhe nuk rri rehat derisa ta vejë poshtë e pastaj ta tallë dhe ta injorojë sa më shumë për të treguar që dhe ai është i barabartë me të në mos më tepër.
Ndër karakteristika të tjera jo bazë është dhe se këta individë apo individë që bartin këtë mentalitet janë të dhunshëm ndaj grave, përdorin fjalor banal dhe të ndyrë, mund të jenë pijanecë.
një nga karakteristikat e tjera është dhe interesi dhe botëkuptimi i ngushtë fshataresk e pa perspektivë në raport me problemet që ka komuniteti ku jeton dhe shoqëria në përgjithësi.
Së fundmi, nuk mund të mos vëresh me shqetësim masivizimin dhe pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të këtyre individëve me ndihmën sigurisht të politikës miope shqiptare në drejtimin e vendime anë të këtij mjeti diabolik (drejtimi i vendit nëpërmjet ‘inteligjencies fshatare’), sepse në vend që të shihet një përmbajtje në emërimin dhe përzgjedhjen e tyre masive në drejtimin e vendit, shihet e kundërta.
Ky aspekt i veçantë i politikës shqiptare ka një ngjashmëri të theksuar me vendet lindore (Turqi, vendet arabe, vendet afrikane e disa vende aziatike- në përgjithësi vende në zhvillim) dhe vendet në zhvillim, në të cilat sikundër dhe në Shqipëri, provincializmi, interesat e ngushta përfituese, vënia e shkelmit teknokracisë, prishja e hierarkisë profesionale, anashkalimi dhe fiktivizmi në konkurrencën për vendet e punës në administratë, lokalet, institucionet e tjera publike dhe private, e deri në jetën akademike janë duke e dëmtuar të ardhmen e Shqipërisë sepse do të duhen shumë vite që të çrrënjoset kjo mënyre veprimi anadollake e të komanduarit e të drejtuarit të vendit nëpërmjet posteve të shitura e të blera me ryshfet e korrupsion. Futja dhe integrimi në BE do ti vinte frerin kësaj dukurie lindore e cila së bashku me dukuritë e tjera të konstatuara pas viteve ’90 janë bërë shkaktarët më të mundshëm të korrupsionit, ngadalësimit të ecjes përpara, integrimit të Shqipërisë, papunësisë, dhe varfërisë, të cilat si pa u kuptuar po i zënë frymën gjithashtu dhe mjedisit social në vend.
Pirro Prifti
* Dërguar nga autori, qëndrimet e shprehura nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të NOA. Redaksia është e hapur për replika të mundshme