English

Rama: U plagos një shërbëtor i shtetit, asnjë flamur partie nëpër shtyllat e Tiranës

Tiranë, 4 prill 2011, NOA – Ndërkohë që incidentet me armë duket se po shtohen dita ditës në vigjilje të nisjes zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit lideri i opozitës dhe kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama deklaroi se mbi asnjë shtyllë të Tiranës nuk do të varen flamuj partish. Këtë deklaratë Rama e bëri pasi vizitoi nga afër kryeinspektorin e Policisë Ndërtimore të Bashkisë së Tiranës Ardit Kaja, i cili u plagos sot paradite pranë ministrisë së Transporteve.

Kryesocialisti Rama u prononcua për mediat duke thënë se u qëllua mbi një person që mbronte ligjin dhe bënte detyrën e tij.

Lideri i opozitës tha se u qëllua një shërbëtor i shtetit, i cili kryente detyrën e tij mbi harbutërinë e këtij pushteti.

Plagosja e kryeinspektorit të Policisë Ndërtimore të Bashkisë së Tiranës Ardit Kaja ka mobilizuar policinë e shtetit.

Sipas policisë Kaja është qëlluar nga dy persona të maskuar që lëviznin me një motorr, të cilët janë larguar menjëherë nga vendngjarja, pas shtënies me armë zjarri kundër shënjestrës së tyre.

Policia e Tiranës dyshon se shefi i Ndërtimores u qëllua me armë silenciator.

Ndërkohë policia po punon për zbardhjen e ngjarjes së rëndë të ndodhur dhe identifikimin e autorëve.

Ardit Kaja ishte duke udhëtuar me makinën e tij të tipit Houndai me targa Tr 8116 R.

Pas plagosjes kanë qenë qytetarët që ndodheshin në rrugë, të cilët i kanë dhënë ndihmën e parë shefit të policisë ndërtimore pranë Bashkisë së Tiranës, duke e nxjerrë atë nga makina dhe dërguar në Spitalin Ushtarak.

Tashmë kryeinspektori Kaja ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Sipas mjekëve ai ka marrë një plumb në këmbën e majtë.

mit/NOA

KOMENTE