Tiranë, 4 prill 2011, NOA – Ndërsa incidentet nga të dyja krahët e politikës nuk po mungojnë përgjatë ditëve të fundit kur ka nisur ende jo zyrtarisht fushata elektorale, Presidenti i Republikës Bamir Topi i bëri thirrje partive politike të hyjnë në fushatën zgjedhore si qytetarë. Presidenti Topi i bëri thirrje partive politike të demonstrojnë një fjalor qytetar dhe të japin alternativat e tyre pikërisht në shërbim të qytetarit.
“Të futemi në fushatën zyrtare zgjedhore me një sjellje qytetare, me një sjellje që t’i ngjajë politikës së vendeve evropiane, ku ne dëshirojmë të aderojmë! Të futemi me alternativa konkrete ku partitë politike të marrin në dorë realisht fushatën politike për ta bërë atë qytetare, në shërbim të qytetarit, sepse janë zgjedhje administrative, të cilat duhet të jenë zgjedhje në radhë të parë në shërbim të qytetarit, për gjëra konkrete”, apeloi presidenti.
Ai theksoi se “ne duhet të dimë të sillemi në mënyrë të qytetëruar, duke filluar nga politika dhe të gjithë simpatizantët e saj”.
Kreu i Shtetit nënvizoi rishtas se 8 maji duhet konsideruar si një ditë feste dhe absolutisht jo si një ditë, ku partitë politike apo militantët të demonstrojnë një fjalor, i cili nuk i shkon për shtat standardeve të një vendi anëtar të NATO-s e që aspiron integrimin në BE.
“Jemi një vend i NATO-s, dhe nuk jemi bërë vend i NATO-s pa një të kaluar të vlerësueshme, sepse jemi bërë mbi bazën e shumë reformave, mbi bazën e mjaft bashkëpunimeve të rëndësishme, edhe politike, edhe institucionale”, tha presidenti Topi. Në këtë kontekst ai përsëriti apelin e tij për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale, të cilat sipas tij janë zgjedhje me projekte konkrete reale.
“Ndërsa zgjedhjet politike të përgjithshme, natyrisht që kanë një politikë më të madhe, një politikë që shkon në linja të tjera, por gjithsesi uroj që kjo fushatë të bëhet e matur, me qytetari dhe uroj që dita e zgjedhjeve, të jetë një ditë ku të marrin pjesë shumë qytetarë të thjeshtë në këto zgjedhje, sepse padyshim do të votojnë për pushtetin e tyre”, deklaroi presidenti Bamir Topi për mediat.
mit/NOA