Opozita e ka gabim nëse mendon se dalja nga kriza mund të arrihet fillimisht nëpërmjet thellimit të saj, duke insistuar në bllokadën totale të proceseve, ku pastaj do të bëhej e pashmangshme krijimi i një “tryeze të pajtimit” ose një qeverie gjithëpërfshirëse ose teknike.
Nga Shkëlzen Maliqi
Sa më e paqartë po bëhet gjendja pas largimit të Behgjet Pacollit nga posti i Presidentit të Kosovës, aq më shumë përhapen spekulimet mbi konspiracionin se, në të vërtetë, kjo çka po ndodh është pjesë e një skenari. Se kush është ideator dhe realizator i skenarit, spekuluesit nuk janë shumë të qartë, por adresat janë zakonisht po ato që më parë akuzoheshin se e kanë bërë konspiracionin rreth zgjedhjes së Pacollit President: për disa në krye të komplotit është vetë Kryeministri Thaçi, për të tjerët Ambasadori Dell. Një rol të spikatur në këto spekulime luan edhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Dr. Enver Hasani.
Nuk dua të zgjatem me spekulime të tilla, por po i përmend vetëm për faktin se vakumi politik që është krijuar, me një lloj hutie të përgjithshme ku askush nuk e ka ide të qarta se në ç’drejtim duhet kërkuar zgjidhjen, është terren ideal për këtë lloj të mjegullimit të mëtutjeshëm të perspektivave. Nëse protagonistët e skenarit të tashëm janë ata që po përmenden, pse është dashur që të investojnë dhe të kompromitohen aq shumë me zgjedhjen e Pacollit? Nuk ka logjikë kjo. Pacolli ka qenë deriçka e vetme për daljen nga një, pothuajse, pat pozicion që është krijuar ndërmjet PDK-së nga njëra anë dhe të gjitha partive tjera, që nuk po e pranojnë vazhdimin e lidershipit të Hashim Thaçit. Edhe atëherë, edhe tash, Hashim Thaçi nuk ka alternativë që mund ta kapërdijë lehtë: o do të kapet për kashtën e AKR-së me Pacollin si kandidat për President, o do të duhej të heq dorë vetë nga posti i Kryeministrit, sepse të gjitha partitë tjera sa janë kundër Pacollit, edhe më shumë janë kundër që Thaçi të mbetet kryeministër.
Zgjidhja e vetme alternative, nëse këto dy pista pengohen, është përsëritja e zgjedhjeve, për çka praktikisht nuk është asnjë subjekt, as pozita, e as opozita aktuale. Të gjitha partitë dhe koalicionet e partive i kanë problemet e brendshme dhe nuk janë të sigurta se mund të fitojnë më shumë vota në zgjedhjet e përsëritura. Ato janë pro zgjedhjeve vetëm pasi që të ndryshohet ligji zgjedhor, e tani pas krizës të shkaktuar nga interpretimi i Nenit 86 të Kushtetutës, po kërkohet edhe ndryshimi i Kushtetutës. Për këto ndryshime lypset kohë dhe një mirëkuëptim i të gjithëve, ose më saktë, një atmosferë e favorshme për koncensusin e madh politik, për të cilin absolutisht mungojnë të gjitha parakonditat. Nëse opozita mendon se në këto kondita dalja nga kriza mund të arrihet fillimisht nëpërmjet thellimit të saj, duke insistuar në bllokadën totale të proceseve, ku pastaj do të bëhet i pashmangshëm krijimi i një “tryeze të pajtimit” ose i një qeverie gjithëpërfshirse ose teknike, mendoj se e ka gabim. Strategjitë “më keq është më mirë” zakonisht nuk garantojnë rezultate të sigurta, por kaos.
Më parë duhet llogaritur në disa mundësi më pragmatike, për të cilat ndoshta edhe po punohet pa shumë zhurmë këto ditë. Mundësia e parë është që të mbetet koalicioni aktual i PDK-së me AKR-në, por që Behgjet Pacolli të detyrohet të tërhiqet nga kandidimi i sërishëm për President, në favor të ndonjë personaliteti tjetër nga Koalicioni Kosova e Re, që do të jetë më i pranueshëm për opozitën. Nëse jo në tërësi, atëherë të paktën për ndonjërin nga subjektet që kanë bojkotuar zgjedhjen e Presidentit me 22 shkurt dhe sërish thonë se nuk do të janë në sallën e Kuvendit, nëse kandidati për President mbetet i njëjtë. LDK-ja, AAK-ja dhe Vetëvendosje do të duhej të pranonin këtë sakrifikim definitiv të Pacollit, të vullnetshëm apo të imponuar, për ta gëlltitur disi mbetjen e Hashim Thaçit në postin e Kryeministrit. Për këtë mundësi unë jam mjaft skeptik, sepse besoj se të gjitha subjektet që paralajmërojnë bojkotin e Pacollit, në të vërtetë këtë e kanë më shumë alibi ose instrument për kundërshtimin dhe përmbysjen e Thaçit nga pushteti, sesa që u pengon Pacolli për faktin se nuk përfaqëson “unitetin e popullit”.
Disa si mundësi të dytë shohin që të tërhiqen të dy, edhe Thaçi, edhe Pacolli, duke ua lënë vendin personaliteteve tjera nga këto parti, që do të kishin përkrahje më të madhe “toleruese” nga opozita. Për këtë përmendet formula e qeverisë së parë të unitetit, kur Hashim Thaçi nuk u pat zgjedhur Kryeministër, për shkak se nuk ishte e pajtimit LDK-ja, por për këtë post nga PDK-ja u delegua Bajram Raxhepi. Por, ata që propozojnë këtë variant, harrojnë se në ato zgjedhje të vitit 2002 fituese bindëse e zgjedhjeve ka qenë LDK-ja dhe Dr. Ibrahim Rugova ka qenë faktori kyç që ka mundur të imponojë kushtet e krijimit të qeverisë. Sot raportet janë ndryshe: PDK-ja është fituese dhe Hashim Thaçi nuk do që sërish të bëjë një sakrificë “patriotike” si në atë kohë, duke u dorëzuar para shantazhit të partive që kanë fituar më pak vota. Nëse është në pyetje “çështja madhore”, sakrifica mund të kërkohet nga të gjithë protagonistët, jo vetëm nga Hashim Thaçi.
Vendnumërimi aktual kushtëzohet më shumë nga verdikti dhe arsyetimi i çuditshëm i Gjykatës Kushtetuese, sesa që objektivisht hapen dyert për ndonjë zgjidhje alternative. Njëfarëdore, ky verdikt ka bllokuar edhe koalicionin e mundshëm ndërmjet PDK-së dhe AAK-së, pasi që as ky koalicion nuk mund t’i ketë numrat për kuorum.
Koalicionet që sigurojnë kuorumin janë PDK me LDK dhe PDK me Vetëvendosjen. Por, nga selitë e këtyre partive, si edhe nga Aleanca, nuk ka zëra të zbutjes.
Kështu, mbetet që sërish të shkohet me koalicionin PDK- AKR, duke rrezikuar përsëritjen e krizës dhe, si pasojë - zgjedhjet e jashtëzakonshme. Ka edhe një zgjidhje - që protektorët e jashtëm të intervenojnë me një superinterpretim të Kushtetutës, që do të mundësonte daljen nga kriza për një periudhë të re tranzitore. Por, për këtë faktorët ndërkombëtarë nuk kanë treguar ndonjë vullnet. Besoj se ata do të insistojnë në ndonjë zgjidhje të brendshme pragmatike. Çfarë - do të shohim.