Prishtinë, 5 prill, NOA - Mbështetje koalicionit qeveritar në të gjitha pikat, zbatim i plotë i marrëveshjes, vetëm Pacolli president dhe një opozitë konstruktive.
Këto kanë qenë kushtet me të cilat ka dalë së fundmi Aleanca Kosova e Re (AKR) , për të mbajtur ende të qëndrueshëm koalicionin me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), me të cilin ra dakord për të drejtuar vendin pas zgjedhjeve të fundit.
Duket se AKR ka hequr dorë nga prishja e koalicionit me partinë e Thaçit dhe i jeo sërish dorën për të bashkëpunuar.
Megjithatë, ajo ia ka bërë të qartë PDK-së se duhet të sigurojë votat e mjaftueshme për Pacollin president, ose përndryshe del nga koalicioni me të, gjë që do të thotë se në këtë rast qeveria e krijuar së bashku bie.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR-së, Ibrahim Makolli, ka thënë se “AKR mbetet e vendosur se nëse këto kushte nuk realizohen, atëherë kjo forcë politike do ta rishikojë marrëveshjen me PDK-në”.
n.e/NOA