English

Basha- studentëve: Bashkia hallka lidhëse mes studentëve dhe tregut të punës

Tiranë, 5 prill 2011, NOA- Kandidati i maxhorancës Lulzim Basha gjatë ditës së sotme u ndal të bisedonte me studentët.

Kandidati për kryebashkiak bashkëbisedoi me studentët e dy universiteteve në kryeqytet, Universitetit të Tiranës dhe atij UFO, për të paraqitur para tyre se çfarë mund të bëjë bashkia për ta, si dhe për të dëgjuar sugjerimet e tyre për jetën akademike dhe infrastrukturën universitare dhe perspektivën e punësimit.

Basha shpjegoi se si do të jetë marrëdhënia Bashki-student, në Tiranën e 100 mijë studentëve.

Ai përmendi edhe përdorimin e kartës së studentit ku në të parashikohen të përfshihen shërbime publike falas në disa raste, dhe përgjysmim çmimesh për raste të tjera.

Kandidati Basha u premtoi studentëve edhe ndërtimin e bibliotekave me akses të plotë për të gjithë studentët, si dhe shtimin e mundësive për punësim.

Sipas tij, Tirana ka shumë biznese që kanë nevojë për specialistë profesionistë dhe të shkolluar, por mungon një hallkë lidhëse mes studentëve dhe tregut të punës, dhe këtë rol tha Basha do ta luajë bashkia.

“Po kështu ka dhjetra, qindra, mijëra biznese për të cilët sot, në këtë moment që flasim kërkojnë punë të kualifikuar. Ka ikur koha kur tregut të punës t’i vazhdojnë t’i shërbejnë me metodat e vjetra, unë njoh dikë, mikun, shokun, xhaja, daja. Bashkia e Tiranës duhet dhe do të marrë përgjithësi për të qenë porta kryesore e informacionit që do të facilitojë, do të lehtësojë komunikimin midis punëmarrësve dhe punëdhënësve nëpërmjet një sistemi modern informacioni të tregut të punës dhe kjo duhet dhe do të ketë përgjegjësi elementare, thelbësore e Bashkisë së Tiranës. Bashkia duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në përgatitjen tuaj, nga auditorët e universiteteve në tregun e punës, dhe kjo është kur ne marrim së bashku përgjegjësi”, u shpreh Basha.

Më tej pretendenti për kryebashkiak i koalicionit “Aleancë për qytetarin” u kujtoi studentëve përmes përvojës së tij personale rëndësinë e arsimit.

Në fund të takimeve, studentët plotësuan Kartën e Angazhimit ku ata shprehin pyetjet dhe sugjerimet e tyre për Lulzim Bashën.

a.y/NOA

KOMENTE