Tiranë, 5 prill 2011, NOA – Dy ditë pas incidentit të heqjes së flamujve të LSI-së nga shtyllat e ndriçimit në zonën pranë stadiumit “Selman Stërmasi” Bashkia e Tiranës i bëri thirrje të gjitha forcave politike të mos cënojnë qytetin, duke vendosur flamuj dhe banderola nëpër shtylla e nëpër pemë, të cilat janë pasuri publike dhe jo pasuri partiake. Bashkia e Tiranës i përgjigjet dorazi edhe Drejtorit të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj dhe kërkesën që policia e shtetit i ka drejtuar Bashkisë, për përcaktimin e vendeve ku ndalohet vendosja e flamujve dhe materialeve zgjedhore.
Hantin Bonati, drejtori i Drejtorisë së Kontrollit mbi Territorin Urban në Bashkinë e Tiranës sqaroi se asnjë njësi e qeverisjes vendore nuk përcakton vende se ku ndalohet vendosja e materialeve zgjedhore.
“Ndalimin e tyre e bën ligji, i cili përcakton se ndalohet vendosja e çdo materiali zgjedhor propogandistik, në çdo hapësirë publike, për të cilat nuk është dhënë leja përkatëse nga organi kompetent”, tha Bonati.
Ai saktësoi se vendet ku lejohet vendosja e këtyre materialeve përcaktohet dhe bëhet nga Bashkia e Tiranës 30 ditë para datës së zgjedhjeve, siç përcakton Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, pra në datën 8 prill dita kur çelet zyrtarisht fushata elektorale.
Bashkia e Tiranës thekson se i ka kërkuar Policisë së Shtetit zyrtarisht që ta mbështesë për ndalimin e incidenteve të shkaktuara nga militantet e subjekteve politike, gjatë ushtrimit të detyrave funksionale që ligji i ngarkon Policisë Bashkiake.
Në këtë kontekst Bashkia e Tiranës i bëri thirrje forcave politike të mos vendosin flamuj dhe banderola nëpër shtylla e nëpër pemë, pasi kjo nuk pajtohet me asnjë parim të bashkëjetesës qytetare, qoftë kjo edhe në një fushatë elektorale.
“Shtyllat e ndriçimit dhe pemët nuk janë pasuri e partive politike, por janë pasuri publike e qytetit”, tha drejtori Bonati.
mit/NOA