Tiranë, 5 prill 2011, NOA - Kryeministri Sali Berisha takoi sot ministrat e Mjedisit të rajonit dhe përfaqësues të disa organizatave ndërkombëtare, të cilët ndodhen në Tiranë në kuadër të bashkëpunimit me Ministrinë e Mjedisit për problemet e ujërave ndërkufitare. Duke iu referuar katastrofës së përmbytjeve në Shkodër në dhjetorin e vitit të shkuar, kryeministri Berisha vuri në dukje një sërë problemesh që shfaqin lumenjtë sidomos Drini duke shtuar rrezikshmërinë e përmbytjeve për shkak të reshjeve të dendura që bien në territorin shqiptar, por edhe në Maqedoni, Kosovë dhe Mal të Zi.
Shefi i qeverisë theksoi se qeveria shqiptare ka projektuar një sërë masash dhe po punon për realizimin e tyre, për të krijuar një situatë sa më të stabilizuar në mënyrë të veçantë në basenin e Drinit dhe për të shmangur përsëritjen e përmbytjeve.
Zoti Berisha bëri me dije se është parashikuar ndërtimi i argjinaturës në lumin Buna, ndërtimi i bypasit të Shkodrës si dhe përmirësimi i rrjetit të kullimit në gjithë zonën e nënshkodrës, ndërkohë që po punohet për ndërtimin e hidrocentalit të Skavicës, dhe ka një marrëveshje të nënshkruar me Malin e Zi për thellimin e Bunës.
Kryeministri u shpreh i gatshëm që të mbështesë një projekt të veçantë për basenin e lumit Drin nga Banka Botërore, GEF-i dhe vendet respektive të rajonit për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare problemeve komplekse që lidhen me basenin e lumit Drin. Ministrat e rajonit të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë shprehën vullnetin e qeverive të tyre për të forcuar më tej bashkëpunimin dypalësh dhe shumëpalësh.
Shefi i ekzekutivit mbështeti interesimin e tyre duke theksuar se Shqipëria do të jetë e gatshme për të zgjeruar bashkëpunimin me vendet kufitare në rajon dhe me organizatat ndërkombëtare.
Ai i ftoi ministrat të ndërmarrin veprime dhe iniciativa të përbashkëta për të shpejtuar gjetjen e zgjidhjeve me interes të përbashkët dhe ndërmarrjen e aksioneve konkrete. Ministrat e rajonit të mjedisit shoqëroheshin nga ministri shqiptar i Mjedisit Fatmir Mediu.
Në takim merrnin pjesë edhe disa përfaqësues të Organizatave Ndërkombëtare BB, Drejtoria e Mjedisit e OKB në Gjenevë dhe të Organizatës për Partneritet Global për Ujin.
mit/NOA