English

Buçpapaj, poeti i atdheut

Nga Çerçiz Loloçi

Këtu e një vit më parë shtëpia botuese “Nacional” publikoi librin më të ri të poetit, publicistit dhe estetit Skënder Buçpapajaj “Frika nga atdheu” që duhet thënë se e plotëson më mirë individualitetin e këtij autori të njohur brenda dhe jashtë vendit dhe sjell një ndihmesë të ndjeshme në letrat shqipe. I konceptuar në shtatë cikle: “Agon nata”, “Rima”, “Shkumbini”, “Ritme”, “Frika nga atdheu”, “Moj e mira” dhe “Cikël më vete” si dhe duke përdorur në vend të hyrjes një përgjëratë për të ndjerën nënë, Buçpapaj rivjen para lexuesit, më i plotë, me shumësi motivesh dhe më një formë artistike që rrallë gjendet në autorë të tjerë shqiptarë. Megjithëse nga një trevë e rëndësishme ku nuk mungojnë emra të tjerë të spikatur të prozës dhe të poezisë shqipe, Bupapaja bën kujdes të mos përsëris askënd dhe të depërtojë atje ku nuk shkojnë kolegët e tij të kësaj zone apo edhe të krejt viseve shqiptare. Pavarësisht se çdo cikël në këtë vëllim prej treqind faqesh, mund të rrijë edhe si libër më vete, autori duket sikur ka pasur një ngutje për të trajtuar tema të mëdha e të vogla, për të qenë më përfaqësues dhe në gjithsecilën prej tyre të japë një mesazh poetik.

Autori ka preferuar ta çelë këtë vëllim me një poezi për nënën, por kushdo që e lexon sa ç’mëson për humbjen e një njeriu të çmuar të vetë poetit, aq sjell nëpër mend dhe ikje pa kthim nënash të të tjerëve.

Në 27 maj 2007, ndërroi jetë në Tiranë, kryeqytetin e

Shqipërisë, Gjylë Buçpapaj, nënë, gjyshe, stërgjyshe…

Kështu nis përgjërata për nënën që ka ikur në muajin e luleve dhe ashtu si në lindje, edhe në vdekje shoqërohej nga Zoti e s’bëzanin as zogjtë, insektet, avionët, yjet… Poeti i jep një përmasë kozmike largimit të nënës së tij dhe midis rreshtave nuk ke se si të mos ndjesh edhe kujën. Jo vetëm kjo poezi, por edhe mjaft të tjera të krijojnë ndjesinë e pasaktë se motivet autobiografike zënë vend qëndror në këtë përmbledhje; përpos tyre dha falë titullimit të librit autori do të thotë se atdheu fillon nga secili prej nesh, nëna, babai, vëllezërit, të afërmit; akoma më tej fshati, krahina, zona ku secili më vetë dhe bashkë ka përgjegjësinë ndaj tij.

Po aq sa motivet autobiografike, autofamiljare, edhe motivet e mërgimit zënë një vend të gjerë në përmbledhjen e fundit poetike, por Buçpapaj bën kujdes që të jetë sa më origjinal dhe që këtë temë ta shkojë në funksion të atdheut.

Jo vetëm e thjesht nga ky vëllim, por duke parë tërë krijimtarinë e Skënder Buçpapajt, mund të pohohet pa drojë se ai është një krijues i rëndësishëm i letrave shqipe. I mërguar si poetë të tjerë të kahershëm dhe të rinj, kushdo vëren lehtë se motivi shqiptar është i gjithgjendshëm, veçse në këtë botim ka një shumllojshmëri të mjeteve shprehëse, ka më shumë elegancë fjale, çka e bën autorin njësoj të lexueshëm si nga bashkëkombasit e tij ashtu edhe nga europianët e më gjerë.

Nuk ka dyshim se përmbledhja më e re e Skënder Buçpapajt është një lartësim i poezisë shqipe. Autori boton rrallë krijimtari artistike, por, teksa troket me një vëllim të ri, menjëherë do të tërheqë vëmendjen e kritikës dhe të lexuesve me rrëfimet tronditëse të përvojave të tij personale.

NOA

KOMENTE