Tiranë, 5 prill 2011, NOA- Një trajnim mbi rolin dhe detyrat e Policisë së Shtetit gjatë procesit zgjedhor Maj 2011 si dhe bashkëpunimi polici-media, është zhvilluar ditën e sotme, në ambientet e Qendrës së Formimit Policor.
Në këtë trajnim ishin të pranishëm specialistë të marrëdhënieve me publikun dhe përfaqësuesve të medias si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, Drejtori i Drejtorisë së Sigurisë Publike Ilia Nasi, Shefi i misionit PAMECA III, Cecil Craig, si dhe ekspertë të Zyrës së OSBE-së dhe KQZ-së.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit e konsideroi këtë takim si më të rëndësishmin mes takimeve të zhvilluara deri tani në kuadër të procesit zgjedhor Maj 2011.
“Unë do t’ju kërkoja dy gjëra; së pari ndjekjen e situatës në kohë reale gjatë këtij procesi zgjedhor, dhe së dyti njoftimin e publikut në kohën më të shkurtër të mundshme për çdo informacion, duke qenë sa më transparentë”, theksoi Burgaj.
Ai i konsideroi përfaqësuesit e medias një partner të rëndësishëm në gjithë zhvillimet e organizatës së policisë për përcjelljen e mesazheve tek publiku në kohën reale më të mirë të mundshme.
Burgaj falënderoi edhe misionet ndërkombëtare të PAMECA III dhe ICITAP për mbështetjen e vazhdueshme me trajnimet e ndryshme për punonjësit e policisë, si dhe në mënyrë të veçantë OSBE-në për materialet e referimit siç ishte edhe botimi i broshurës “Detyrat e punonjësit të policisë në procesin zgjedhor 2011”, e cila do t’i jepet çdo punonjësi policie që do të angazhohet me detyrat zgjedhore.
Ndërkohë Shefi i misionit PAMECA III, Cecil Craig, u shpreh se “Në lidhje me këtë proces zgjedhor, standardet tuaja duhet të jenë pranë standardeve evropiane.”
Craig i vlerësoi marrëdhëniet e Policisë së Shtetit me median si të shkëlqyera, duke theksuar besimin e tij që Policia e Shtetit do ta shfrytëzojë këtë periudhë zgjedhore për të treguar edhe këtë herë profesionalizmin e saj.
Gjatë këtij trajnimi u diskutua mbi rolin dhe detyrat e policisë gjatë procesit zgjedhor, legjislacionin zgjedhor që ka lidhje me policinë, rolin e KQZ-së, KZAZ-ve, VNV-ve dhe QV-it si dhe procedurat e bashkëpunimit me strukturat e Policisë së Shtetit për garantimin e rendit publik gjatë procesit zgjedhor, bashkëpunimin me mediat, etj.
a.y/NOA