English

Çfarë po ndodh në Kosovë?

Prishtinë, 5 prill, DW - Në Kosovë akoma mbetet e paqartë rrjedha e zhvillimeve politike, nëse vendi do të ketë së shpejti një president të ri, apo do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, ngarkohet brenda gjashtë muajsh për të dytën herë si ushtrues detyre i presidentit të Kosovës. Duke e parë situatën e krijuar politike në vend pas largimit të Behxhet Pacollit nga posti i presidentit, Jakup Krasniqi thotë se brenda gjashtë muajsh që ai mund ta ushtrojë postin e presidentit të vendi,t të ndryshohet Kushtetuta në mënyrë që presidentit të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët.

Partitë politike opozitare ndërkaq, nuk ndryshojnë qëndrim rreth kandidaturës së paralajmëruar të zotit Pacolli për president të Kosovës. Ato thonë se sërish do ta bojkotojnë seancën nëse zoti Pacolli, kandidohet për president. Në këtë mënyrë PDK-së, e ka të pamundur ta nisë procedurën e zgjedhjes së presidentit për faktin që pa opozitën në sallë nuk mund të plotësojë obligimin kushtetues që të jenë të pranishëm në sallë dy të tretat e deputetëve.

Ndërkohë, Aleanca për Kosovën e Re, tashmë ka paralajmëruar mundësinë e shkëputjes së Koalicionit Qeverisës me Partinë Demokratike të kryeministrit Hashim Thaçi, nëse zoti Pacolli, nuk zgjidhet president. Në Partinë Demokratike të Kosovës, janë shfaqur qëndrime të ndryshme për daljen nga gjendja e krijuar në vend. Presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi i cili vjen nga PDK-së, pret hapjen e një debati ndërmjet forcave politike jo vetëm për këtë situatë por edhe për zhvillimet e ardhshme politike. “Partitë politike duhet të ulen dhe të bisedojnë të dakordohen që brenda një kohë të bëjnë reformën zgjedhore që është e domosdoshme, të bëjnë ndryshimet kushtetuese dhe ta gjejmë një marrëveshje që do të ishte rruga më e mirë për të ecur përpara”, thotë Jakup Krasniqi.

LDK, partia më e madhe opozitare thotë se do të ishte pjesë e seancës gjatë zgjedhjes së presidentit të vendit, nëse paraprakisht ka një marrëveshje politike, për ndryshimin e ligjit për zgjedhje, ndryshimin e Kushtetues pika ku flet për zgjedhjen e presidentit dhe caktimi i datës për zgjedhje të reja. Në të kundërtën, sipas kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, kjo parti nuk ndryshon qëndrim. “Ky qëndrim i LDK-së ka të bëjë me nevojën e arritjes së një marrëveshje nëpërmjet partive parlamentare në kuvendin e Kosovës rreth zgjedhjes së presidentit që zgjedhja e presidentit të ishte rezultat që do të shprehte interestat jo vetëm të pozitës por edhe të opozitës”, thotë Isa Mustafa.

Ndërkohë, nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj, thotë se përgjegjësia bie mbi partinë më të madhe në pushtet që ta zgjidhë këtë situatë të pakëndshme politike. “Partia Demokratike e Kosovës si fituese e zgjedhjeve, si partia më e madhe politike në vend dhe koalicioni i përbashkët ka obligim të japë një zgjidhje dhe ajo t'i prijë procesit drejt zgjidhjes së problemit dhe përgjegjësia kryesore është mbi partinë e cila udhëheqë me vendin”, thotë Fatmir Limaj.

Por, këshilli drejtues i PDK-së, akoma nuk ka një qëndrim të prerë së si të zgjidhet kjo situatë.

Ndërkohë, analistët e pavarur thonë se situata politike në të cilën ndodhet Kosova duhet shikuar në frymën e ligjeve dhe Kushtetutës, sepse Kosova nuk e ka komoditetin që sërish brenda disa muajve të futet në zgjedhje të parakohshme. Kështu thotë për programin tonë analisti Driton Lajqi. “Nuk do të kishim një rezultat ndryshe nga ai që e kemi tash zyrtarisht, për faktin që as partitë në pushtet e as ato në opozitë nuk kanë mundur që ta tregojnë vetën sepse armiku më i madh i tyre është koha shumë e shkurtër, prandaj zgjidhja duhet të insistohet që të gjendet brenda kuadrit kushtetues dhe kësaj zgjidhje duhet t'i paraprijë partia më e madhe në vend”, thotë Driton Lajqi.

Analistët politikë thonë se e vetmja rrugë është që zgjidhja të kërkohet në një marrëveshje politike, që do të nënkuptonte respektimin e kërkesave të opozitës sa i përket caktimit të datës së zgjedhjeve vitin e ardhshëm duke përfshirë në këtë mes edhe zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga qytetarët pasi të jetë ndryshuar neni kushtetues, që rregullon zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Deutsche Welle

KOMENTE